Partitë politike në Maqedoninë e Veriut në forma të ndryshme kanë nisur takimet me elektoratin edhe pse vendi nuk ndodhet në fushatë zgjedhore, madje ende nuk ka asnjë marrëveshje për mbajtjen e tyre.
Por, pavarësisht kësaj, partitë tashmë kanë caktuar edhe motot e fushatave me çka lënë për të kuptuar se po përgatiten për zgjedhje të reja, edhe pse deri në mbajtjen e tyre ka edhe një vit kohë.
“Kemi premtuar shtet juridik, sundimin e ligjit, drejtësi të njëjtë për të gjithë. Kemi arritur të lirojmë shtetin e robëruar… Gjatë këtyre viteve të qeverisjes tonë nga një vend i izoluar kemi arritur që Maqedoninë e Veriut ta anëtarësojmë në NATO, jemi në fund të këtij procesi ndërsa kemi përmbushur të gjitha kriteret tjera për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në”.
“Në planin ekonomik si asnjëherë më parë ka ndryshime të mëdha si në rritjen ekonomike, uljen e papunësisë e hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e pensioneve si dhe të pagës minimale”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, në një tribunë të partisë së tij LSDM me moton “Në Rrugë të Drejtë”
Ai ka thënë se fushata e nisur nuk nënkupton përgatitje për zgjedhje pasi ato sipas kreut të qeverisë do të mbahen 45 ditë para zgjedhjeve të rregullta në dhjetor të vitit 2020. Zaev ka thënë se “qeveria duhet që të shijojë përfitimet e arritura, në sferën e integrimeve euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe datën e bisedimeve me BE-në”.
Edhe opozita ka nisur takimet me elektoratin, por thotë se ato janë vazhdimësi e takimeve të rregullta me qytetarët. Me moton “Rimëkëmbja për Maqedoninë” VMRO DPMNE-ja ka për qëllim të njoftojë elektoratin me siç thuhet “dështimet e qeverisë aktuale, shkatërrimin e ekonomisë, dështimin në miratimin e ligjeve reformuese, gjyqësorin e partizuar, nepotizmin dhe devijime tjera”.
“Ne si parti popullore bëjmë përpjekje që gjithë kohën të jemi në kontakte me qytetarët, të dëgjojmë shqetësimet dhe kërkesat e tyre që më pas ti përfshijmë në programin partiak. Pjesë e kësaj politike janë edhe takimet që kemi nisur me moton “Për Rimëkëmbjen e Maqedonisë”. Do të kemi edhe aktivitete tjera ndërsa besojmë se më pas do të nis edhe fushata për zgjedhjet e ardhshme. Pra, kjo nuk është fushatë po takime të rregullta me qytetarët”, ka deklaruar Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së duke përsëritur sërish kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
“VMRO DPMNE-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kërkon që ato sa më parë të mbahen, por si duket e pala tjetër frikësohet nga përballja me popullin andaj edhe refuzon kërkesën tonë. Sidoqoftë, ne do të jemi fitues të zgjedhjeve të ardhshme”, ka deklaruar kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski.
Fushata apo takime me qytetarët kanë nisur edhe disa nga partitë politike shqiptare. Alternativa që është pjesë e qeverisë me moton “Vatra jonë-Alternativa jonë”, ka nisur siç thuhet fushatën për parandalimin e largimit të të rinjve nga Maqedonia e Veriut.
“Përkundër problemeve jo të mbyllura politike, në kuptim të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe korrupsionit të lartë, si edhe mungesës së shtetit ligjor, problemi më i madh i Maqedonisë së Veriut e, rrjedhimisht, edhe i shqiptarëve këtu, është shpërngulja masovike e të rinjve dhe zbrazja e vendbanimeve”, ka deklaruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim tubimet me elektoratin i ka përqendruar në konsolidimin e radhëve, zgjedhjen e organeve të reja drejtuese nëpër degë. Takime të këtilla ndërkohë që ende nuk ka nisur opozita shqiptare./rel