Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë unanime ka vendosur që të miratojë rekomandimin e Qendrës së Rinumërimit që të rinumërohen 303 vendvotime në të cilat ka pasur gabime teknike në formularët në të cilët janë bartur votat.
Pasi ka folur përfaqësuesi i QNR’së, Burim Ahmetaj, dhe anëtarët e KQZ’së, ka folur kryetarja e këtij insitutcioni, Valdete Daka, e cila ka thënë se ka ndodhur gabimi teknik i shtypjes së formularëve.
Ajo ka thënë se në ditët në vazhdim do të zbulohet pse ka ndodhur ky gabim, i cili ka shkaktuar huti tek komisonerët gjatë procesit të numërimit dhe shënimit të votave.
“Formularët janë shtypur gabimisht, i kujt është faji do të zbulohet gjatë ditës së ardhshme, dhe do të dihet pse ka ardhë deri tek shtypja e gabueshme. Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularit në të gjithë Kosovën. Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletë votim dhe janë renditur edhe në formular, subjektit të parë i mungon rubrika, dhe për rrjedhojë disa komisionarëve që iu ka dhezë llampa i kanë shkru me saktësi, ndërsa disa të tjerëve që s’iu ka dhezë kanë vazhdu prej subjektit të dytë. QNR i ka zbulu 303 vendvotime ku formularët janë plotësu në këtë mënyrë, dhe si përfundim është që këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë, pasi që janë plotësu në mënyrë të gabueshme. E kemi rekomandimin e Burimit që të rinumërohen këto 303 vendvotime, sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Nuk ka dyshime që janë plotësuar me qëllim, por që ka ndodhë sipas një gabimi teknik”, ka thënë Daka.
Më pas kryetarja e KQZ’së e ka hedhur në votim, dhe rekomandimi është miratuar me shumicë votash në KQZ nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike./GazetaExpress/