A do të organizohen zgjedhje të reja parlamentare mbi bazën e zgjidhjeve të vjetra ligjore? Vërejtjet e OSBE/ODIHR dhe organizatave civile të cilat monitorojnë proceset zgjedhore, nuk përkojnë me vullnetin e partive politike për të arritur konsensus dhe të propozojnë ndryshime në Kodin zgjedhor ose edhe ndryshim të modelit zgjedhor. Qendra për liri “Civil” vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme dhe do të pengojnë proceset e filluara reformuese. Xhabir Deralla vlerëson se deri në prill nuk mund të zbatohen ndryshime efektive në legjislaturën zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare tani për vendin do të sjellin ngadalësime serioze madje edhe ngecje të proceseve të rëndësishme, procese reformuese. A ka kohë që të bëhen ndryshime në Kodin zgjedhor me të cilat do të përmirësohet procesi zgjedhor? Përgjigja jonë është që nuk ka, duke u bazuar në përvojën e kaluar. Edhe nëse zgjedhjet janë në prill, nuk ka kohë për zgjedhje cilësore në Kodin zgjedhor. Financimi politik patjetër t’i nënshtrohet revizionit serioz dhe për këtë s’ka kohë”-tha Xhabir Deralla, Qendra për liri “Civil”.
Deralla e konsideron të panevojshëm edhe formatin e qeverisë së Përzhinës, të njohur si qeveri teknike dhe kërkon të gjendet mënyrë për përforcimin e institucioneve dhe jo përforcimin e ndikimit politik mbi institucionet.
Nga KSHZ-ja thonë se do të organizojnë zgjedhje sipas dispozitave ligjore që janë në fuqi pavarësisht paqartësive në Kodin zgjedhor me të cilat janë ballafaquar në proceset e kaluara. Ky institucion është i gatshëm që të ofrojë sugjerimet e tij rreth ndryshimeve eventuale nëse palët relevante e kërkojnë atë. Kodi Zgjedhor parashikon distancë kohore prej të paktën 45 ditësh nga dita e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, deri në zbatimin e tyre.
Sipas Kodit Zgjedhor, duhet 45 ditë të cilat janë paraparë për realizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme ndërsa realisht për t’i plotësuar të gjitha procedurat sa u takon zgjedhjeve të parakohshme, duke pasur parasysh shkurtimin e afateve prej 5 ditëve, KSHZ-së në bazë të analizave të bëra i nevojiten rreth 55 ditë që të gjitha procedurat të zhvillohen ashtu siç duhet. Si institucion ne vetëm i zbatojmë zgjedhjet duke pasur parasysh normal ekzistuese të Kodit zgjedhor”-pohoi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Problemi më i madh që paraqitet gjatë çdo cikli zgjedhor është disproporcioni i numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. Njësia e gjashtë shpesh kalon kufirin e paraparë me ligj. Mënyra e votimit aktual për diasporën ka rezultuar e pasukseshme për të nxitur votuesit dhe për t’u mundësuar atyre qasje më të lehtë në shprehjen e vullnetit të tyre. Lista zgjedhore dhe përditësimi i saj ka qenë disa herë në qendër të vëmendjes për keqpërdorime të caktuara nga parti politike. OJQ-të kërkojnë edhe trajnime më intensive për anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe këshillave zgjedhor në vendvotime.