Ishin arbitrat shqiptarë që vendosën drejtësi në ndeshjen e futbollit Sllovaki- Gjeorgji (U- 21).
Katërshja e gjyqtarëve, Eldorian Hamiti, Nertil Bregasi, Denis Agaraj dhe Kreshnik Cjapi, fluturoi fundjavën që shkoi drejt Nitras së Sllovakisë për të gjykuar ndeshjen e vlefshme për eliminatoret Euro 2021. Një ndeshje ku u panë të gjitha: raste, gola, kartonë të kuq dhe… debate.
Debate mes përfaqësuesve të ekipeve ne pankina e që u bënë shkak për dhënien e tre kartonëve të kuq nga ana e kryesorit Hamiti, të cilët iu shtuan dy kartonëve të dhënë gjatë lojës.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-2 për vendasit, të cilët siguruan vendin e dytë në grup.
Arbitrat u vlerësuan maksimalisht nga vëzhguesit e UEFA-s, gjë që reflekton profesionalizmin e gjyqtarëve shqiptarë dhe punën e madhe që ka bërë FSHF në sektorin e arbitrimit gjatë viteve të fundit.