Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar se ka pranuar vendimet e PZAP-it për rinumërimin e votave nga Serbia, raporton Gazeta Express.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor. Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Tutje, ai ka thënë se megjithatë duhet të presin për vendimin e Gjykatës Supreme, pasi që subjektet kanë të drejtë ankese.
“Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”, ka deklaruar Elezi për Express.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur sot për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Paneli lidhur me ankesat ka vendosur si në vijim: PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.
Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.
23 ankesa janë hedhur të pasafatshme dhe të palejuara. 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara.
1 ankesë konstatohet e tërhequr. /GazetaExpress/