Nëpunësit e administratës publike të cilët marrin rroga pa pasur një vend pune, vazhdojnë të mbeten njolla e zezë në organizimin e institucioneve publike dhe atyre shtetërore. Edhe disa muaj pas kalimit të kësaj kompetence në ministrinë e saporformuar për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive, procesi nuk ka lëvizur aspak. Ministri Sadulla Duraku thotë se procesi vazhdon por pa precizuar se për sa kohë mund të rrumbullakohet. Ai madje shton se me këtë ritëm të sistematizimit do të vazhdohet edhe pas zgjedhjeve parlamentare të prillit.
“Sigurisht që edhe administratorët do të sistemohen nëpër institucione. Deri më tani, me vendimin e Qeverisë që 958 të shpërndahen, prej tyre 200 kanë nënshkruar dhe jemi në vazhdën e shpërndarjes së administratorëve të tjerë. Pasi të përmbyllim me 958-shin, do të fillojmë edhe me të tjerët”, deklaroi Sadulla Duraku, ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive. A ka plan konkret se kur do të përfundojë procesi? “Normal që plani konkret është. Tani kemi zgjedhje. Pas zgjedhje sigurisht që do të vazhdohet me të njëjtin “avaz””, tha Duraku.
Numri i administratorëve të pasistemuar për një periudhë më të gjatë arriti shifrën prej 1600. Proceci i shpërndarjes për mbi 950 prej tyre kishte filluar në mars të vitit 2018 dhe u premtua që do të përfundonte brenda dy muajsh. “Nuk mund të themi me siguri një datë të sigurt, por kemi përkufizuar një periudhë relative nga 1 deri në dy muaj që të përfundojmë me grupin e parë. Ndërkohë që paralelisht, duke zhvilluar biseda dhe kontakte në mënyrë konkrete për sistematizimin e administratorëve, ne punojmë edhe për grupin e dytë”, deklaroi Hazbi Lika, ish zv. kryeministër, Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit. Zgjidhja e problemit me këtë kategori të nëpunësve shetëror, në bazë të programit të Qeverisë, do të duhej të ishte prioritet gjatë këtij mandati i cili përfundon së shpejti. “Qeveria urgjentisht do ta zgjidhë problemin me nëpunësit shtetëror të cilët gjatë kohë marrin rrogë por nuk janë shpërndarë në vende pune. Ekziston pakënaqësi e arsyeshme edhe nga ana e tyre edhe nga ene e opinionit për këtë praktikë”, thuhet në Programin e Qeverisë. Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, i cili tani ka pushuar së ekzistuari, nënshkruante marrëveshjet e punës me administratorët në bazë të nevojës për përfaqësim të drejtë etnik nëpër institucione. Shpërndarja e tyre nëpër vendet e punës, më herët ishte kompetencë e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Kjo e fundit, hoqi dorë nga ky detyrim sapo u formua Ministria për Sistem Politik./Alsat-M