Ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli ishte i pari që dhuroi për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Pacolli dhuroi plot 1 milion euro, ndërsa u shpreh i gatshëm për të strehuar qindra familje në Kosovë. Biznesmeni i njohur deklaroi në një lidhje për emisionin OPEN në Top Channel se nuk donte ta bënte publik lajmin, por e nxiti vajza e tij.
“1 milion euro është minimalja që do kontribuojmë. Kemi menduar shumë nëse do ta publikojmë vendimin për të dhuruar. Fondacioni im dhuron çdo ditë, por nuk e bëjmë publike. Ka qenë vajza ime që insistoi që ta publikojmë lajmin. Jam i lumtur që pas publikimit të këtij lajmi ka patur mobilizim për të dhuruar”, deklaroi Pacolli.
Pas publikimit të lajmit se Pacolli dhuroi 1 milion euro, pati sensibilizim edhe në Shqipëri, ku të pasurit bënë publike kontributet e tyre.