Presidenti Ilir Meta deklaron se në datë 8 Dhjetor do të zbresë në shesh në një lëvizje të dytë si ajo e 30 viteve më parë për të detyruar parlamentin që të zbatojë detyrimin kushtetues për zhvillimin e referendumeve. Kreu i shtetit nuk kishte një propozim konkret për referendum, por ngriti disa çështje në parim.
Ilir Meta do të largohet nga politika në momentin që popullit shqiptar do i rikthehet e drejta për të vendosur me referendum për çështjet kombëtare, por edhe lokale. Kreu i shtetit në një deklaratë nga Presidenca mbrëmjen e sotme u shpreh se 21 vite më parë u vendos në kushtetutë që populli ka të drejtë që të vendosë me referendum, por ai akuzoi se klasa politike, ku edhe ai ka qenë edhe është pjesë prej 30 viteve, ua ka mohuar qëllimisht shqiptarëve ligjin për këtë të drejtë. Koha e partive përfundoi, dhe tani do të nisë epoka e referendumit, vijoi më tej ai duke theksuar se lëvizja për të arritur qëllimin do të nisë më 8 dhjetor.
Meta u shpreh se në 8 dhjetor do të pranojë në shesh cilindo person që do të vijë, por me një kusht, të kenë me vete flamurin kombëtar dhe jo atë të partive. Ai paralajmëroi rezistencë të fortë se nuk do të largohet nga sheshi deri kur parlamenti me ‘dele deputetët’ sikur i cilësoi ai të miratojë ligjin për referendumet. Presidenti sqaroi se kjo nuk do të thotë se do të kemi një tjetër ‘çadër’ si ajo e opozitës në 2017, por lëvizja do të zhvendoset në cdo qytet të vendit. Ai kërkoi që edhe shqiptarët të bashkohen në rezistencën që ai do të nisë dhe jo t’ia mbathin nga sytë këmbët.
Dje PS-ja mori në konsideratë një nismë për ndryshimet ligjore për të rishikuar betimin në Presidencë të anëtarëve të SPAK-ut pas ngërçit me Kushtetuesen, por Meta sonte iu përgjigj duke thënë se është gati për rishikimin e kompetencave të tij, por vetëm përms referendumit. Cështje të tjera që mund të shtrohen sipas tij janë edhe reforma zgjedhore, ngërçi i fundit kushtetues, por edhe cështje lokale si HEC-i në Vjosë.
Pretendimi i Presidentit Ilir Meta se në Shqipëri nuk mund të zhvillohet referendum për mungesën e një ligji nuk është i vërtetë. Referendumi në Shqipëri është plotësisht i realizueshëm. Rasti i fundit ka qenë në vitin 2013, kur është organizuar referendumi kundër ligjit për importin e mbetjeve, që nuk u realizua vetëm pse qeveria ndërkohë i kishte shfuqizuar nenet e kundërshtuara.