Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë njoftoi se, pas ankesave të parashtruara nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka marrë vendim që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia.
Ankesat janë ngritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar javën e kaluar, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
“PZAP-i, 53 ankesa i ka pranuar të bazuara. Prej tyre, lidhur me 52 ankesa, paneli ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve. Ndërsa, lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.
Sipas Koalicionit Nisma-AKR-PD, zarfet me vota nga Serbia “nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën”.
Ky koalicion, sipas rezultatit të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e muajit të kaluar.
PZAP-i po ashtu njoftoi se 23 ankesa janë shpallur të pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe një ankesë është konstatuar e tërhequr.