Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, ka takuar kryetarin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela.
Sela, sipas komunikatës së VV-së, tha se zgjedhjet e 6 tetorit treguan bindjen e qytetarëve se politika është vendi ku arrihen ndryshimet e rëndësishme shoqërore.
“Sela shprehu bindjen se me formimin e institucioneve të reja, me qeverinë e re, do e kemi një sy dhe mendje më aktive për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Ndërsa thuhet se Kurti e ka njoftuar Selën se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional dhe zbutja e pabarazisë në shoqëri përmes politikave sociale.
Kurti, sipas komunikatës, foli edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet e shteteve dhe popujve në Ballkan, “si dhe mundësitë e obligimin që të bashkëpunojmë e të bashkërendohemi”.