Asnjëherë mos ia dëshiro tjetrit atë që nuk dëshiron të të ndodhë ty. Dhe, mos ia bën asnjëherë tjetrit atë që s’ dëshiron dikush të t’a bën ty.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Në Maqedoni gjithçka është e mundur, ketu të gjitha pisllëqet e brumosura me urrejtje patologjike dalin në sipërfaqe në çastet më të vështira e më të dhembshme, këtu ka njerëz që ju gëzohen tragjedive të të tjerëve, këtu kreaturat më të fëlliqura njerëzore presin çastin e volitshëm për të shpërthyer me orientimet, mendimet dhe qëndrimet më të sëmuara e për të dëshmuar se te njerëz të caktuar fshehet aq shumë johumanitet sa nuk mund të imagjinohet dot. Kështu ishte kur ndodhi fatkeqësia në Llaskarcë, kështu po ndodhë edhe pas tërmetit katastrofal që e tronditi çdo shqiptar dhe çdo njeri vullnetmirë. Dhe, askush asnjëherë nuk u përgjegj para ligjit për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, askush nuk u dha në gjyq, ndaj askujt nuk u ngrit kurfarë padie nga policët moralë që po kujdestarojnë rrjeteve sociale për të selektuar ata të cilët do i satanizojnë. U akuzuan dhe u gjykuan vetëm ata që patën guximin t’ju kundërpërgjegjen përhapësve të urrejtjes
Ka kohë që po përpiqem të bëj një lloj përzgjedhje të asaj që duhet t’a lexoj në internet, por ja që higjienës së këtillë ndonjë herë po ndodh t’i përvjedhen detaje të cilat po më shkaktojnë neveri e idinjatë. Kështu, duke e përcjellur çast pas çasti situatën në Shqipëri me qëllim që të detektoj e të targetoj njerëz e familje të cilat kanë më shumë nevojë për ndihmën të cilën mund t’ua ofrojë Bashkësia Islame e Maqedonisë, mjerisht hasa në komente e postime të cilat më shqetësuan jo se kanë ndonjë domethënie. Jo, komentet e tmershme me të cilat disa “bashkëqytetarë” tanë shprehnin gëzimin e tyre morbid për tërmetin në Shqipëri dhe për viktimat, më dëshpruan për shkak të johumanitetit që po e përcjellnin deri te bashkmendimtarët e tyre. Këta “bashkëqytetarë” po luteshin që të shtohet numri i viktimave në Shqipëri dhe uronin që tërmetet të shkatërojnë edhe Greqinë, Bullgarinë, Kosovën.O Zot, a ka fund urrejtja që fshehet te njeriu, a ka fund injoranca ?
Jam tërësisht i vetëdijshëm se është e pakuptimtë të merresh me përbindshat që në rrjetet sociale derdhin frustrimet dhe komplekset e veta, por njëkohësisht e kuptoj dhe po e përjetoj edhe indinjatën e shqiptarëve nga të gjitha anët të cilët këtyre ditëve po vuajnë me vëllezërit në Shqipëri. E kuptoj se nuk është fare e lehtë të lexosh se qoftë edhe një njeri i vetëm ju gëzohet skenave të llahtarshme dhe numrit të të vdekurve që po shtohet. Por, jam i bindur se,megjithatë, numri i atyrë që po i gëzohen dhembjes shqiptare është i papërfillshëm në krahasim me solidaritetin e njerëzve nga i tërë rajoni dhe bota të cilët janë të vetëdijshëm se fatkeqësitë nuk zgjedhin komb e fe, sepse ato sot na prekin neve, por nesër mund të qëllojnë dikë tjetër. Njeriu është i pafuqishëm përpara vullnetit të Zotit, por me humanitetin e vetë mund të zbutë pasojat e dhembjes që po na sillet vërdallë.
Pa dyshim, përhapësit e urrejtjes së shfrenuar duhet lëshuar të rrjedhin kanalizimeve të mjerimit njerëzor e të përfundojnë aty ku shkojnë ujërat e zeza. Por, çfarë të bëjmë me njerëzit tanë për të cilët po dëgjojmë se po i keqpërdorin ndihmat që duhet të përfundojnë te ata që po vuajnë në Durrës, Thumanë e Tiranë, te ata që humbën të afërmit e vetë, te fëmijtë që këtë fundvjeshtë po e kalojnë tendave. Cfarë të drejte kemi ne të hidhëroemi me përbindshat e huaj ndërkohë që përbinshat tanë po na bëjnë të turpërohemi nga vehtja dhe nga fakti se kampeve provizore për vëllezërit fatkeqë po qarkullojnë hajna, kriminelë e matrapazë që po peshkojnë në detin e dhembjes tonë ?
Me zemër uroj dhe dëshiroj që informatat të cilat po vijnë lidhur me keqpërdorimet e ndihmave të jenë trillime dhe thashethëna. Nëse janë të pavërteta ato gjëra, Zoti i vraftë ata që fatkeqësinë tonë të përgjithshme po e shfrytëzojnë për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore. Por, nëse janë të vërteta, atëherë nuk duhet pritur Zotin dhe ndëshkimin e tij që gjithsesi do i godasë kur t’ju vijë koha. Jo, ne vetë duhet t’i denoncojmë, t’i vejmë përpara murit të turpit, duhet të veprojë Ligji që aq shumë po mungon e po heshtë në jetën tonë . Ndërkohë, gjithsesi duhet të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë vëllazërore, shqiptare, njerëzore, ne duhet të jemi dora e shpresës për ata që po vuajnë dhe rrezja që do ndriçojë sadopak në këtë katastrofë që e goditi Shqipërinë.