Ballina Aktualitet Shqipëri Mesazhi prekës i mësueses për vogëlushen që mbeti nën rrënoja: E ëmbla…

Mesazhi prekës i mësueses për vogëlushen që mbeti nën rrënoja: E ëmbla…

Esielë Karanxha bashkë me nënën e saj Diena, 30 vjeçe, janë dy nga 51 viktimat e tërmetit 6.4 ballë që goditi vendin më 26 nëntor.

Ndërkohë, ditën e sotme që ishte dita e parë e rifillimit të shkollës, mësuesja Eda Katroshi në shkollën “Marie Kaculini” në Durrës ka postuar një mesazh mjaft prekës për 8-vjeçaren që ndërroi jetë nën rrënoja.

“Sot, me datë 09.12.2019 rifilluam jetën. Rifilluam aty ku e kishim lënë. Më rrethuan duart e vogëlushëve të mi. Nuk kishte gëzim më të madh kur u takuam. U perqafuam fort, u puthëm. Poooooor…. Ah kjo zemër dhe këta sy nuk guxuan të kthejnë shikimin e mjegulluar nga lotët drejt bankës tënde, e dashura Esielë. E ëmbla jonë Esielë. Cfarë tu thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e mbante dot ngashërimin. Nuk duroi dot që ti u bëre engjëll me krahë për të na parë nga lart. Shokët dhe shoqet e patën të vështirë të të mos përmendnin. E zgjuara, e shkathëta, Esiela jonë. Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të mbetesh një vogëlushe e mrekullueshme për të gjithë grupin tonë të klasës së tretë. U prehsh e qetë pranë prindërve të tu!”, shkruan mësuesja.

Tërmeti i cili goditi vendin në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, la pas dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale./ Opinion.al