Nga një janari për automjetet me standarde më të ulëta ekologjike do të paguhet tatim më i lartë. Ligji i ri për tatimin e automjeteve të mërkurën futet në procedurë parlamentare. Me këtë ligj parashihet që në vend të akcizës, në të ardhmen gjatë importit të automjeteve të paguhet tatim. Shkalla me të cilën deri më tani përcaktohej lartësia e shpenzimeve gjatë importit do të mbetet e njëjtë, vetëm se do të ketë shpenzime më të larta varësisht nga emetimi mesatar i dioksidit të karbonit, СО2.
Tatimi i automjeteve përllogaritet në bazë të të dhënave për shumën e emetimit mesatar të dioksidit të karbonit – СО2 i shprehur në gram për kilometër, të dhënat për shumën e 1 grami dioksid karboni СО2 për kategorinë përkatëse varësisht nga lloji i karburantit që përdoret i paraqitur në denarë, të dhënat për vlerën e shitjes së automjetit pa përfshirjen e tatimit të vlerës së shtuar ose gjatë importit të dhënat për vlerën doganore të automjetit të përcaktuara sipas rregullave doganore – thuhet në Ligjin e tatimit të automjeteve.
Për atë se sa do të duhet të paguajnë automjetet e importuara që nuk i plotësojnë standardet mjedisore do të dihet pasi të miratohet ligji. Atëherë do të duhet Drejtoria Doganore të sjellë rregullore që përcakton shumën e detyrimit. Ligji parasheh që automjetet për transportin e tetë ose nëntë pasagjerëve, ambulancat, automjetet për transportin e personave të vdekur dhe automjetet e vjetra të lirohen nga taksa. Qeveria këtë ligj e paralajmëroi si masë për të luftuar ndotjen e ajrit dhe një nxitje për të zëvendësuar parkun e makinave. Të dhënat e fundit nga Drejtoria Doganore tregojnë se vitin e kaluar janë importuar 37,000 automjete. Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të importuara, 88% kanë qenë automjete më të vjetra se 10 vjet, nga të cilat gati 90% kanë qenë dizel.