Kristjan Preçi është një prej viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit në Thumanë, pasi pallati ku ai kishte shtëpinë u rrënua plotësisht nga lëkundjet e forta.
Në shtëpinë e dëmtuar të xhaxhait të tij, rreth 100 metra larg qendrës së Thumanës, babai i 25-vjeçarit na rrëfen bisedën e fundit me djalin dhe dëshirën e paplotësuar të tij për të festuar më 28 Nëntor ditëlindjen e mamasë së tij, pasi kishte punuar dy muaj dhe priste të merrte rrogën.
“Biseda ime e fundit ka qenë po atë natë, para se të ndodhte kjo, darka e datës 25, rreth orës 19:00. Kishte dy muaj që kishte filluar punë dhe nuk i kishte marrë akoma lekët. Kishte filluar në një fabrikë këpucësh afër Fushë-Krujës. Ishte akoma në provë si të thuash, erdhi pronari i vetë që solli lekët e djalit që kishte punuar, se nuk i kishte marrë akoma rrogën.
Kam pasur këtë kujtim me djalin atë natë: Nëna e vet më datë 28 Nëntor ka pasur ditëlindje. Më thotë babi, kur t’i marr lekët do ta marr mamin edhe gjyshen dhe do të shkoj të haj një drekë tek një restorant që është këtu, që kushton pak, se kam filluar edhe punë dhe kam qejf që ta çoj mamin dhe nënën”, thotë ai për Klan.
Marjan Preçi, i emocionuar rrëfen se në tërmetin e një viti më parë, të dy apartamentet e tij kishin pësuar plasaritje dhe krisje të dukshme, 30 centimetra poshtë tavanit, në të gjitha dhomat.
“Dhoma e gjumit kishte një plasje horizontale, rreth e rrotull në tavan. 20-30 centimetra poshtë tavanit. Pika ku ka fjetur djali, në dhomën e ndenjes, ka pasur një çarje të fuqishme muri deri në një farë pike, tipit sikur bie rrufeja, shumë degëzime. Edhe po e njëjta gjë tavani. Kishte edhe çarje nëpër qoshe, vertikale. “
Babai i Kristjanit rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur për të birin dhe ndihmën që i dhanë për t’u kthyer nga Gjermania, aty ku punonte prej vitesh për t’u siguruar mbijetesën bashkëshortes, Kristjanit dhe nënës së tij.
“Unë jetoj në Gjermani bashkë me djalin e vogël. Në orën 04:30 të mëngjesit marr një telefonatë nga vëllai i madh, Moisiu. A e di që është bërë nami, ka rënë tërmet? Edhe nuk e dimë… por 99 përqind e ka mbytur djalin. Nuk e kam marrë veten, nuk e kam ditur se ku jam.
Jam nisur për në Shqipëri me një shok të punës nga Kosova. Ai më është gjendur për gjithçka. Munda të marr avionin që të jem në orën 2 e gjysmë po atë ditë në Thumanë. Kam ardhur tek shtëpia, kam gjetur çdo gjë të organizuar nga vëllezërit, shoqëria e miqësia, sepse mua shtëpitë më ishin shembur të dyja”.
Gjallë i ka mbetur dhe vëllai i Kristjanit, që jetonte me të atin në Gjermani, ku ishte në shkollë të mesme. Në Thumanë nga tërmeti arriti të shpëtonte mamaja dhe gjyshja e Kristjanit. Po ku po strehohet sot familja Preçi?
“Urdhëro (tregon me gisht nga çadra). Pas 3-4 ditësh, kur kam futur djalin në tokë na kanë dhënë një çadër. Na ka ardhur ushtria, na kanë montuar çadrën në kohë. Kemi shkuar me turp, pa turp, sepse unë po ta kisha djalin gjallë unë nuk i kisha rënë instancave për të marrë një copë bukë, një diçka, por isha i detyruar se nuk kam ku të shkoj, nuk kam ku të përplas kokën.
Një njeri që sapo i ka vdekur djali, të shkojë të trokasë për një copë punë, apo një tenxhere gjellë nuk e di, a e imagjinon se çfarë duhet të hash ti me veten tënde, do ta hash veten me dhëmbë, nuk di si ta them…
Sepse ishte dëm i madh, popullsi e madhe, ndoshta këta nuk kanë pasur mundësi me i bërë të gjitha, por unë do ta shihja më të udhës që çdo njeri, kush ka që mund të strehohet në një vend tjetër mund të vinin të na pyesnin, kishte rrugë që mund të bëhej më mirë.
Një person i funeralit merr në telefon vëllain tim dhe i thotë, dëgjo këtu nëse keni problem me drekën dhe të tretat, për pagesën, çojani telefonin atij personit dhe unë flas me atë personin që ta paguaj unë.
Isha aq i revoltuar sa do i kisha kthyer një përgjigje shumë banale, po nuk më la vëllai. Unë me gjithë mend jam fukara, por ama ne zona këtej, kemi diçka të mirë që i gjendemi njëri-tjetrit. Ndoshta për mirë jo, po për të keq të gjithë bëhemi”.
Por a do të jetojë më në Thumanë pas tragjedisë në familje?
“Jeta vazhdon. Unë si person nuk kam dëshirë ta shoh më Thumanën me sy, jo për faj të Thumanës. Unë kam komplet kujtimin e djalit. Dal aty më del djali, dal atje kujtoj djalin, dal në kafe kujtoj djalin… dua të kem sa më pak stres, ngarkesë, në këtë drejtim.”
Ndërsa Moisiu, xhaxhai i Kristjanit, rrëfen 7 ditë nga tërmeti, vështirësitë për të mbijetuar dhe për t’u strehuar 12 pjesëtarë të familjes në oborrin e shtëpisë private.
“Jam vet i nënti këtu, është vëllai vet i treti, plaka… Është nusja ime, unë, nusja e djalit, djali, djali tjetër që ka ardhur nga Italia që të na gjendet pranë për këtë situatë. Kemi fjetur të gjithë këtu, 12 veta kemi fjetur këtu.
Dy netët e para kemi fjetur 12 vetë. Për të gatuar kemi një mangall aty, e kemi bërë me dru jashtë. Unë dua të vij një specialist ta kontrollojë shtëpinë, të thotë ku ka marrë plasje, ka futur ujë në atë cepin, ka futur lagështirë”.