Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri renditet ndër më shkatërrimtarët në botë për këtë vit. Portali gjerman i specializuar për informacionet që kanë të bëjnë me lëkundjet e tokës “Erdbebennews” e rendit këtë tërmet me mangitudë 6.4 Rihter, të katërtin në shkallë globale, për nga numri i personave të cilëve u ka shkaktuar dëme.
Të dhënat e kësaj tabele tregojnë se 3 083 persona u prekën nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar, duke humbur të afërmit, shtëpitë e pronat. Në krye të listës së këtij viti janë Filipinet, të ndjekura nga Indonezia dhe Kina.
Ndërsa Qendra Europiane për Monitorimin e Aktivitetit Sizmik, e shndërruar këto ditë në burimin kryesor të informacionit të shqiptarëve, për lëkundjet më të fundit shkruan se paslëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit vijojnë të rrallohen. Siç duket edhe në këtë grafik të publikuar prej kësaj qendre, vala e pasgoditjeve po vjen duke u shuar.
Në komentin e saj, kjo qendër thotë se: Edhe pse një pasgoditje e fortë është gjithmonë e mundshme përgjatë javëve dhe muajve që pasojnë, aktiviteti do të rikthehet në nivelin normal.