Twitter fshiu afro 6,000 llogari nën dyshimet se janë pjesë e një “operacioni informacionesh” me origjinë nga Arabia Saudite.
Rrjeti social njoftoi për fshirjen e tyre në një blog publik, të shpërndarë të premten.
Ai tha se llogaritë i kanë shkelur politkat e platformës.
“Llogaritë kanë postuar mesazhe të favorshme për autoritetet saudite, kryesisht përmes taktikave joautentike, si pëlqimet agresive”, tha Twitter.
Sipas tij, shumica e përmbajtjes ka qenë në gjuhën arabe, por ka pasur edhe të tillë që lidhej me ngjarje të rëndësishme për audiencën perëndimore.
Twitter tha se beson se aktiviteti “i koordinuar” mund të gjurmohet në një kompani të marketingut të quajtur Smaat, me seli në Arabinë Saudite.