Ballina Teknologji Norvegjezi ankohet ndaj ChatGPT, sepse e paraqiti si vrasës të fëmijëve të...

Norvegjezi ankohet ndaj ChatGPT, sepse e paraqiti si vrasës të fëmijëve të tij

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Një shtetas norvegjez ka paraqitur një ankesë për robotin virtual me inteligjencë artificiale (ChatGPT), pasi që kishte shkruar gabimisht se ai ishte përgjegjës për vrasjen e dy djemve të tij dhe kishte thënë se ai është dënuar me 21 vjet burg, shkruan BBC.

Arve Hjalmar Holmen ka kontaktuar Autoritetin norvegjez për Mbrojtjen e të Dhënave dhe i ka kërkuar që ta padisë Open AI, krijuesin e robotit virtual ChatGPT.

Ky është shembulli më i fundit i të ashtuquajturave “halucinacione”, ku sistemi i inteligjencës artificiale ofron informacione të pavërteta dhe i prezanton ato si fakte.

Holmen ka thënë se ky “halucinacion” e ka dëmtuar shumë atë.

“Disa mendojnë se nuk ka tym pa zjarr – fakti që dikush mund ta lexojë këtë dhe ta besojë si e vërtetë më frikëson shumë”, ka thënë ai.

Holmen kishe pranuar informata të rreme pasi e kishte shfrytëzuar ChatGPT për të bërë pyetjen se “Kush është Arve Hjalmar Holmen?”.

Në këmbim, përgjigjja e robotit për të ishte se “Arve Hjalmar Holmen është një individ norvegjez që ka marrë vëmendje pas një rasti tragjik. Ai kishte qenë babai i dy djemve, 7 dhe 10 vjeç, të cilët u gjetën të vdekur afër shtëpisë së tyre në Trondheim të Norvegjisë në dhjetorin e vitit 2020”.

Grupi për të drejtat digjitale Noyb, i cili ka depozituar ankesën në emër të tij, ka thënë se përgjigja që ChatGPT i dha Holmenit ishte shpifëse dhe shkel rregullat evropiane të mbrojtjes së të dhënave në lidhje me saktësinë e të dhënave personale.

Noyb ka thënë në ankesën e saj se Holmen “nuk është akuzuar dhe as i dënuar për ndonjë krim dhe është një qytetar i ndershëm”.

ChatGPT ka gjithmonë një mesazh ku e pranon se mund të bëjë gabime, prandaj edhe i rekomandon përdoruesit ta kontrollojnë informacionin e rëndësishëm.

Sipas grupit Noyb, kjo është e pamjaftueshme.

“Ju nuk mund të shpërndani informacion të pasaktë dhe në fund të shtoni një mohim të vogël duke thënë që çdo gjë që thoni mund të mos jetë e vërtetë”, ka thënë avokati i Noyb, Joakim Söderberg.