Më shumë se gjysma e vendeve të reja të punës që do të hapen nga Facebook, do të jenë të përqendruara në teknologji, me role në inxhinierinë e programeve kompjuterike, krijimin e produkteve dhe shkencën e të dhënave, thanë burime pranë kompanisë.
Kjo do ta çojë forcën punëtore që punon për Facebook në Mbretërinë e Bashkuar në më shumë se 4 mijë persona. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm presioni për firmat e mediave sociale për të hequr postimet që promovojnë vetë-dëmtimin dhe ekstremizmin politik.
Shefi operativ i Facebook Sheryl Sandberg do të njoftojë vendet e reja të punës në Londër ditën e martë, përpara se të udhëtojë për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Shumë nga këto punë me aftësi të larta do të na ndihmojnë të adresojmë sfidat e një interneti të hapur dhe të zhvillojmë inteligjencën artificiale për të gjetur dhe hequr përmbajtjen e dëmshme më shpejt,” pritet të thotë ajo.
Këto role do të jenë në ekipin e “integritetit të komunitetit” të Facebook, i cili harton mjete për vëzhgimin e postimeve në platformat e Facebook përfshirë Messenger, Instagram dhe WhatsApp.
Firma kishte vendosur të investojë më shumë në mirëmbajtjen e përmbajtjes në internet, pas vetëvrasjes së të riut Molly Russell në vitin 2017, tha për BBC, Steve Hatch, nënkryetari i firmës për Europën veriore.
Firma ka zbuluar dhe hequr dy milion postime nga Facebook dhe 800 mijë nga Instagram, që kishin përmbajtje të dëmshme për audiencën, shtoi ai. “Ndërsa sistemet përmirësohen ato zhvillohen, bëhen më të mira dhe më efektive,” tha ai. “Aspirata jonë është të heqim çdo pjesë me përmbajtjes të dëmshme.” (BBC)