Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë kërkesë për thirrje të seancës, ku do të dalë në votim Qeveria e tij. Lideri i LVV’së do që seanca të mbahet me 3 shkurt. Kush do ta votonte Qeverinë Kurti?
Gazeta Express
Pa marrëveshje me LDK’në dhe pas disa takimeve me përfaqësuesit e minoriteteve, Albin Kurti ka vendosur ‘të matët’ në Kuvend më 3 shkurt, një ditë para se t’i skadojë edhe afati kushtetues për formimin e Qeverisë.
Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së me 24 deputetë, thotë se partia e tij është e përcaktuar që të mbajë qëndrim opozitar.
“Nesër do të mblidhet kryesia e Kuvendit. Akoma nuk ka seancë të caktuar. Por, ne kemi qëndrim opozitar”, ka thënë Hamza për Gazetën Express.
Edhe partnerja qeverisëse e PDK’së, AAK’ja, ka qëndrim të njëjtë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk ka pasur asnjë konsultim asnjëherë me LVV’në për votimin e Qeverisë. Ai thotë se nuk do ta votojë Qeverinë Kurti, nëse del në votim të hënën më 3 shkurt, kur lideri i VV’së i ka kërkuar Kuvendit të mbahet seanca.
“Jo. Nuk kam asnjë arsye për ta votuar. Nuk e di pse do të duhej unë ta votojë. Ajo qeveri nuk i ka numrat. Mund të behet sot, të shkarkohet nesër. Nuk ka asnjë fije logjike. Nuk ka as ndonjë konsultim paraprak. Nuk jemi duke luajtur lojë të fëmijëve për të thënë hajt se këta më votojnë“, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.
Kryesia e LDK’së ka qenë e paqasshme mbrëmjen e sotme, megjithatë kreu i partisë, Isa Mustafa gjatë ditës ka thënë se nuk ka pasur kontakt me Kurtin, që nga takimi i fundit i mbajtur të martën në Kuvend ku dolën pa marrëveshje.
Kurti nga ana tjetër sot ka takuar kryesinë e Listës Serbe, e zyrtarët e partisë serbe thanë pas takimit se nuk do ta pengojnë formimin e Qeverisë dhe se do të jenë pjesë e saj.
“Lista Serbe nuk do të jetë frenuese për formimin e qeverinë e ardhshme. Është fakt të them se është e dukshme për të gjithë, edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e Prishtinës, se pa Listën Serbe si faktor është e pamundur formimi i qeverisë. Qeveria e ardhshme do të ketë anëtarë nga Lista Serbe”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.
Kurti më parë ka pasur takime edhe me përfaqësues të minoriteteve të tjera që janë pjesë e Kuvendit. Ata i kanë dhënë përkrahje për formimin e Qeverisë së re.
Pak javë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar në grupin parlamentar edhe Elbert Krasniqi, një deputet nga radhët e partisë egjiptiane IRDK.