” I lutem shtetit të na ktheje fëmijët, sa më shpejt”.
Është kjo thirrja e Asie Shulit, nënës që jeton me shpresën se djali i saj i larguar në Siri do t’i kthehet në shtëpi, së bashku me fëmijët e tij. Bashkëshorti i saj, Dylber Shuli, babai i Krenar Shulit i cili u largua drejt Sirisë me tre fëmijët e tij në 24 tetor të vitit 2013 ka rrëfyer në studion e emisionit “Pa Gjurmë” se flet vazhdimisht me mbesën e tij Elona, motrën dhe dy vëllezërit e saj. Ai tha se i ka dërguar vazhdimisht para mbesave dhe nipërve të tij, ndërsa mes lotësh i bën apel shtetit shqiptar të bëjë të mundur rikthimin e tyre në shtëpi
“Erdhi ai, Genci Balla i bindi për të ikur andej. Në muajin e parë nuk më mori. Muajin e dytë e pa që ishte keq andej dhe më mori më tha baba bëj çmos të më tërheqësh. Erdhi deri në kufi dhe e kthyen mbrapsht. Për një vit nuk dëgjova më asgjë. Pastaj e martuan vajzën, Elonën, e detyruan. Erdhi puna në 2016 e vranë atë dhëndrin. Mbesa ishte shtatzënë, lindi pastaj. Dhëndri u vra në Siri nga bombardimet amerikane. Mbesa ime sot kujdeset për vëllanë dy motrat dhe fëmijën e saj. Pas kësaj kohe u morëm vesh edhe me djalin. Në 2018 na thonë se është vrarë djali. Ngritën komision dhe thanë Krenari është ai. Na mori mbrëmë mbesa, më tha të na vish të na marrësh. IBrahimi më thirri o gjyshi hajde. (përlotet) Na ka kërkuar para, ia kemi dërguar dhe ajo i ka tërhequr”, tha gjyshi.
Ai ka sjellë pranë redaksisë së emisionit Pa Gjurmë një video ku mbesa e madhe Elona i kërkon t’i dërgojë para. “Baba më çdo disa lekë që të ha këto ditë. Më ço ca lekë të ha ca ditë. Mirupafshim. Ju dua shumë shumë. Ju duam shumë na ka marrë malli për ju”, thotë Elona Shuli.
Krenar Shuli, u largua në Raka të Sirisë bashkë me nusen dhe tre fëmijët, më 24 tetor të vitit 2013. Në Siri kryefamiljarit i ishte premtuar punë me pagë të kënaqshme dhe shkollim për fëmijët. Të gjitha premtime u janë bërë nga hoxha Genci Balla, i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste.
Takimet midis Krenarit dhe Gencit bëheshin në qytetin e Librazhdit. Elona vajza e madhe e familjes që sot është 17 vjeç, në Siri njihet me emrin Asja, vajza tjetër Erma njihet si Sara dhe është 13 vjeçe si dhe Jusra vajza e vogël 7 vjeçe. 3 vite më parë, në Siri lindi edhe djali me emrin Ibrahim i çiftit Shuli.
Vajza e madhe në moshën 13-vjeçare u martua me Besmir Caka, i cili kishte mbërritur, gjithashtu në Siri më 23 janar të vitit 2013. Nga kjo martesë Elona lindi djali me emrin Suhejd, që sot është 3 vjeç. Besmiri, humbi jetën në vitin 2016, si pasojë e një sulmi, ndërsa djali tij ende nuk kishte ardhur në jetë.
Në këto momente familja në Shqipëri humbi kontaktet me pjesën tjetër të familjes në Siri. Pas disa kohësh rilidhin kontaktet dhe lajmin për vdekjen e Besmirit ia komunikon familjes në Shqipëri vetë Krenari. Jeta e tyre vijonte në Reka të Sirisë ndërsa patën komunikime përmes rrjeteve sociale deri në vitin 2018.
Nga ky moment humbin sërish kontaktet. Periudhë gjatë së cilës po nga një sulm të ndodhur në Irak, Elona humb edhe babanë e saj Krenarin.
Një vit të gjatë humbin sërish kontaktet me familjen në Shqipëri.
Pas humbjes së jetëve të dy burrave në Siri, bashkëshortja e Krenarit me fëmijët dhe nipin e vogël, djalin e Elonës, në shkurt të vitit të 2019 zhvendosen në kampin Al-Hol në Siri.
Aty Elona, Erma, Jusra dhe Ibrahimi humbasin kontaktin me nënën e tyre. Kërkimet për Adelinën vazhduan për rreth 2 muaj dhe në fund administratorët e kampit njoftojnë Elonën se nëna e saj nuk ndodhej aty.
Gjatë kohës që u zhvendosën në kamp tre vajzat, djali dhe nipi humbin kontaktet me Adelina Shulin, fati I së cilës ende nuk dihet edhe sot.