Ndotja e ajrit në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut po ngre shqetësime tek banorët, ndërsa shoqëria civile u kërkon autoriteteve të marrin masa urgjente për uljen e shkallës së ndotjes, që kalon kufijtë e lejuar.
Çështjes i janë shtuar shqetësime të tjera pas njoftimeve se drejtori i kompanisë për grumbullin e mbeturinave në afërsi të Shkupit ishte përzier në eksportin e mbetjeve toksike me një firmë italiane në Bullgarinë fqinje. Ndërkaq, autoritetet thonë se nuk kanë njoftime për djegien e mbetjeve të tilla në Shkup.
Disa qytete të Maqedonisë, përfshirë Shkupin, Tetovën, Kërçovën, Manastirin shpesh radhiten në krye të listave botërore për shkallën e ndotjes së ajrit. Kjo gjendje vazhdon prej disa vjetësh. Popullata shprehet e shqetësuar, sidomos në muajt e dimrit kur gjendja përkeqësohet.
Shqetësimet ndërlidhen edhe me njoftimet nga Bullgaria se një kompani italiane me drejtorin e Kompanisë për grumbullimin e mbeturinave në Shkup kishin dërguar mbetje toksike në Varna të Bullgarisë dhe hamendjet se mbetje të tilla të ishin djeur edhe në pikën e “Drisllës” afër Shkupit.
Kryetari i komunës së Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov u tha gazetarëve se nuk ka njoftime nëse janë importuar mbetje toksike nga jashtë.
Autoritetet e qytetit kanë marrë në kontroll pikën e grumbullimit të mbeturinave, Drislla, e cila ishte privatizuar para pak vitesh. Edhe Dogana e Maqedonisë së Veriut u ka thënë mjeteve të informimit se kompania italiane “Bllacion” nuk paraqitet si eksportuese në procedurat doganore.
Shkupi dhe disa qytete të tjerë në Maqedoninë e Veriut, sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësosë shpesh janë ndër dhjetë qytetet me koncentrim më të lartë të grimcave toksike në Evropë. Ndërkaq, Banka Botërore vlerëson se për çdo vit në Maqedoni vdesin nga 1350 njerëz si rezultat e ndotjes së ajrit dhe ekonomisë së vendit kjo i kushton mbi 200 milionë Euro.
Autoritet thonë se po bëjnë gjithçka për të ulur shkallën e ndotjes por se problemi nuk mund të zgjidhet lehtë. Janë vendosur aparate nëpër shumë qytete dhe lagje për matjen e ndotjes, megjithëse një pjesë e banorëve dhe ambientalistëve thonë se nuk u besojnë atyre.
Në disa vitet e fundit në vend janë importuar mbi 250 mijë vetura të përdorura nga tregjet evropiane, shumica e popullatës ngrohet me dru, ndërsa fabrikat sipas autoriteteve, po zbatojnë urdhërat për vendosjen e filtrave dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë, u është ndaluar puna.
Qeveria, ndërkaq, thotë se çështjen e ndotjes së ajrit e ka me përparësi të lartë. Por fondet për këtë qëllëim janë vetëm 1.6 milion euro në vit, të pamjaftueshme sipas ekspertëve.
Shoqëria civile e quan këtë shumë qesharake ndërsa reagon se spitalet po mbushen përplot me fëmijë me sëmundje të frymëmarrjes.(VOA)