Që të mbahen zgjedhjet më 12 Prill, siç janë dakorduar partitë politike, Qeveria teknike duhet të formohet deri nesër në mesnatë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë data e zgjedhjeve do të zhvendoset, pasi nga dita e formimit të Qeverisë teknike deri në ditën e zgjedhjeve duhet të kalojnë 100 ditë. Por, nëse gjithçka shkon sipas skenarit, atëherë Kryeministri Zoran Zaev duhet të japë dorëheqjen dhe ta paraqesë atë në Kuvend. Pas konstatimit të dorëheqjes, e gjithë Qeveria është në dorëheqje. Pas kësaj, Presidenti Stevo Pendarovski duhet t’i japë mandatin për qeverinë e re Kryeministrit teknik. Në këtë rast, Ministri aktual i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili do të drejtojë qeverinë teknike. Më pas, Spasovski, pas një marrëveshjeje paraprake me opozitën, duhet të propozojë përbërjen e re të Qeverisë, e cila votohet në Kuvend me shumicë të votave. Nga Kuvendi për Alsat thonë se janë të gatshëm ta përfundojnë procedurën brenda afatit, nëse ka një marrëveshje nga partitë politike. Në qeverinë e re, me propozimin e VMRO-DPMNE-së në opozitë, do të ketë dy ministra edhe atë të punëve të brendshme, dhe të punës dhe çështjeve sociale, si dhe tre zv / ministra në sektorët e financave, bujqësisë dhe shoqërisë së informacionit.
Qeveria kalimtare do ta drejtojë vendin për 100 ditë, deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 Prill. Detyra e saj kryesore është të organizojë zgjedhjet.
Sipas Ligjit për Qeverinë, Ministri Teknik i Brendshëm mund të kryejë deri në 15 shkarkime ose sistemime. Zëvendësministrat teknikë, nga ana tjetër, kanë të drejtë për veto vetëm për çështje që lidhen me zgjedhjet. Gjatë kësaj periudhe ndalohen punësime të reja, investime dhe avancime. Parlamenti do të shpërbëhet më 11 shkurt, pra 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo praktikë e formimit të një qeverie kalimtare, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, filloi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës katër vjet më parë, dhe kjo do të jetë Qeveria e dytë teknike në vend./alsat