Ballina Sport ANALIZA: Juventusi, 7 arsye pse dështimi në Verona ngre alarmin

ANALIZA: Juventusi, 7 arsye pse dështimi në Verona ngre alarmin

Humbja e së shtunës nuk është thjesht një moment i keq për Juventusin, tashmë me pikë të barabarta me Interin në krye.

Në thelb është një çështje strukturore që duhet përballuar përpara se të jetë vonë. Janë disa çështje që duhen parë me shumë vëmendje nga klubi bardhezi. Ja cilat janë 7 arsyet kryesore të stonimit të Juventusit në këtë moment:

1.Cinizmi

Juventusi ka një traditë që ndryshe nga skuadrat e tjera, arrin të shfrytëzojë momentet brenda një ndeshjeje. Jo rrallë arrin të fitojë ndeshje të shëmtuara, pa nivel dhe që ndoshta nuk e ka merituar t’i fitojë, por ka luftuar, ka shënuar një gol dhe është mbrojtur mirë. Pra, është shfaqur një skuadër cinike, por në këtë moment i mungon diçka e tillë. Iu bë një dhuratë nga lojtari më i mirë, por 25 minuta nga fundi vuajti presionin e Veronës. Në minutat kur skuadrat e mëdha fitojnë ndeshjet, Juventusi e humbi.

2.Sensi i urgjencës

Është e qartë se janë 3 skuadrat që kanë mundësitë të fitojnë titullin: Juventusi, Interi dhe Lacio. Verona ka një pozicion komod në renditje, është e shpëtuar, por në ndeshjen me Juventusin ishin lojtarët e saj më vendosur në fushë, më agresivë, të parët që shkonin te topi. Juventusi duket sikur nuk e ka sensin e urgjencës, nevojën për të shfrytëzuar momentin kyç të sezonit. E ka nisur ngadalë dhe thuajse asnjëherë nuk ka krijuar përshtypjen se e ka grintën e situatës urgjente.

3.Polemikat

Higuain nuk e priti mirë zëvendësimin me Dibalën dhe kjo nuk është diçka e re. Është ankuar më parë edhe ndaj Fiorentinës, ndërkohë që gjatë sezonit ka pasur polemika publike edhe nga Ronaldo dhe Dibala. Të tre sulmuesit ankohen dhe nëse ndodh një herë, është diçka e mirë, por nëse kritikat për trajnerin bëhen rregullisht, ka rrezik që çdo formacion dhe çdo ndërrim të transformohet në një proces. Nuk është situata ideale për tre muaj vendimtarë.

4.Forma e skuadrës

Forma e skuadrës nuk është ajo më e mira, por në ndeshjen e fundit ra në sy edhe rënia fizike e futbollistëve të Juventusit. Verona e vuri poshtë fizikisht dhe nuk është hera e parë që ndodh. Trajneri Sarri, me rikthimin e Douglas Kostës ka zgjedhur modulin 4-3-3, që në kokën e tij ndoshta është sistemi më i mirë i lojës, pasi Ronaldo dhe braziliani janë në pozicionin ideal. Por dëmtimi i radhës i Douglas Kostës do të kthejë me siguri skemën 4-3-1-2.

5.Kampionët

Juventusi nuk mund t’i kërkojë asgjë më shumë Ronaldos. Portugezi është mirë, ndoshta më mirë se kurrë në periudhën e tij si bardhezi, pasi i krijon vetë rastet për gol. CR7 nuk mund të bëjë më shumë se kaq, ndërsa Miralem Pjaniç është në pikën më të ulët të parabolës së tij. Mesfushori boshnjak e nisi sezonin se lojtari kyç në mesfushën e Juventusit, por në shumicën e rasteve ka qenë zhgënjyes.

6.Plani i ndeshjes

Juventusi humbi ndaj Juriçit, “Gasperinit të vogël). Javë pas jave është forcuar ideja se bardhezinjtë vuajnë shumë ndaj kundërshtarëve që luajnë me 3 lojtarë në mbrojtje. Lacio veçanërisht është një kundërshtar i fortë, sepse e “mbyt” me intensitet sulmesh dhe i bën një mbulim të rreptë Pjaniçit, duke i bllokuar lojën. Është sikur dikush ka gjetur “pasuordin” për të hyrë në sistemin e Juventusit. Dhe ky është një problem i madh, sepse Interi te kjo skemë ka ndërtuar sezonin, intensitet loje dhe mbrojtje me tre.

7.Koha

Situata komplikohet jo pak edhe nga kalendari. Data 9 shkurt ishte fillimi i fluturimit drejt titullit. Juventusi duhet të jetë gati për të përballuar ndeshjet pa një të nesërme dhe Milan-Juve e së enjtes në Kupë është një nga këto. Në nëntor ulje-ngritjet ishin fiziologjike, por tani nuk lejohen më. Juventusi ka gjithçka për ta harruar Veronën: lojtarët, alternativat dhe mbi të gjitha forcën mentale, por duhet të luajë “kartat” më të mira. Duhet të jetë perfekt nga ndeshja me Lionin në Champions e deri më 1 mars, kur përplaset me Interin. (SI)