Bayern Munchen është thuajse i kualifikuar për në çerekfinalet e Champions League, pas fitores 3-0 në Londër kundër Chelsea-t.
Dy gola nga Serge Gnabry dhe një tjetër gol nga Robert Lewandowski, të tre në pjesën e dytë, vulosën fitoren për gjermanët, të cilët kthehen të qetë në shtëpi, ku do të luhet pas dy javësh ndeshja e kthimit.
Heroi i mbrëmjes ishte pa dyshim Serge Gnabry, i cili pas një pjese të parë të vakët, u “ngjall” në të dytën dhe me dy gola në tre minuta (51’ dhe 54’), hapi rrugën e fitores.
Sulmuesi i kombëtares gjermane ka shënuar deri tani 6 gola në Champions League dhe është i pari në historinë e kompeticionit që të gjithë golat i ka realizuar kundër skuadrave të të njëjtit shtet (4 kundër Tottenham në fazën e grupeve dhe 2 kundër Chelsea).
Në të 76’, pas një shpërthimi nga e majta, Davies pasoi saktë për Lewandowski-n dhe polaku realizoi golin e tretë për Bayern, të 11-tin personal këtë sezon në Champions, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve.
Për të përkeqësuar edhe më shumë gjërat për blutë e drejtuar nga Frank Lampard, Marcos Alonso u ndëshkua me karton të kuq në të 83’ pas një goditje në fytyrë ndaj Lewandowski-t.
Napoli dhe Barcelona barazuan 1-1 në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions League, që u luajt në Italinë e frikësuar nga koronavirusi.
Stadiumi “San Paolo” ishte mbushur me tifozë me maska, të cilët shijuan një ndeshje me raste nga të dyja ekipet.
Dries Mertens ishte i pari që shënoi, duke kaluar Napolin në avantazh në minutën e 30 me një gol spektakolar në hyrje të zonës, që e la në vend portierin Ter Stegen.
Griezmann barazoi në minutën e 57 pas një aksioni të bukur të katalanasve, me asist të Semedos.
Në fund të ndeshjes, Arturo Vidal u ndëshkua me karton të kuq, duke humbur kështu ndeshjen e kthimit.