Shuma e mbledhur në konferencën e sotme të donatorëve pritet që të ketë një impakt mjaft pozitiv në ekonominë shqiptare. Ndërsa vendi po vuan si pasojë e krizës ekonomike, largimit të forcës punëtore, por edhe dëmit që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, kontributet, por edhe grantet për projekte, pritet që në muajt e ardhshëm ta ndryshojnë plotësisht situatën.
Shtetet e BE-së dhuruan shifra të mëdha për rindërtimin e banesave të prishura, por një pjesë e donacioneve do të jetë në formën e granteve për projekte specifike, për të cilat vendi ka nevojë.
Këto do të ndihmojnë në infrastrukturë, në hapjen e vendeve të reja të punës, e gjithashtu një kapital i tillë do të thotë një impuls të madh për ekonominë e vendit.
Qeveria Rama ka premtuar që shumë njësi banimi të ndëtojë brenda këtij viti, e nuk ka ndërmend që të humbë kohë. Ndërkohë që presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen e bëri të qarë se çdo cent i dhënë do të monitorohet.
“Kemi rënë dakord të kemi një marrëveshje, ku do të përcaktojmë parimet e transparencës së llogaridhënies. Duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse dhe për këtë jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë, për ta zbatuar në mënyrën e duhur. Marrëveshjen do ta nënshkruajmë së bashku me Ramën.”, tha ajo në konferenë për shtyp.