Qindra migrantë sirianë u nisën drejt rajoneve kufitare të Turqisë me Greqinë pas përshkallëzimit të konfliktit në Idlib.
Zyrtarët turq thanë mbrëmë se Turqia nuk është më në gjendje të ndalojë refugjatët për të arritur në Evropë.
“Politika e refugjatëve e Turqisë është e pandryshuar, por ka disa rrethana; ne nuk jemi më në gjendje t’i ruajmë refugjatët,” tha një zëdhënës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.
Një pikë kufitare e tillë është Edirneja, e cila ndodhet në kufirin me Greqinë dhe Bullgarinë dhe hap derën e Evropës për migrantët.
Një numër i madh i migrantëve të parregullt ecën drejt pikës kufitare natën, ndërsa fluksi u intensifikua në mëngjes.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se migrantët kishin provuar të hynin në mënyrë të paligjshme nga Turqia dhe premtoi se nuk do ta lejonte këtë.
“Një numër i konsiderueshëm i migrantëve dhe refugjatëve janë mbledhur në grupe në kufirin greko-turk dhe janë përpjekur të hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme.
Unë dua të jem i qartë: Hyrja e paligjshme në Greqi nuk do të lejohet. Ne jemi duke ngritur nivelin e sigurisë së kufijve tanë”, tha ai.
Kryeministri grek shtoi se vendi i tij nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjet tragjike në Siri dhe nuk do të vuajë pasojat e vendimeve të njerëzve të tjerë.