Ballina Aktualitet Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Konfirmohet rasti i parë i infektuar me koronavirus në vend. Bëhet fjalë për një paciente, e lindur në vitin 1970 në Shkup, e cila një periudhë të caktuar ka qëndruar në Itali.

Këtë e kumtoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në konferencën e përbashkët në Qeveri, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryeministri Oliver Spasovski dhe d-r Zharko Karaxhoski nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Nuk ka hapësirë për panik, pacientja është vendosur në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në repartin e izolimit, gjendja e saj trajtohet në mënyrë adekuate. Analizat epidemiologjike tregojnë se ajo kishte qenë në Itali për një muaj në vizitë te të afërmit. Tashmë dy javë është e sëmurë dhe është testuar në një institucion shëndetësor në Itali, menjëherë pas hyrjes në vendin tonë është drejtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Inkubacioni ka mbaruar dhe në momentin e transportit ajo nuk ka paraqitur rrezik për të transmetuar sëmundjen”, tha Filipce.

Paraprakisht gjatë ditës së sotme ministri Filipçe tha se rast me koronavirus nga rajoni ka në Kroaci, ndërsa sot është konfirmuar rasti i parë edhe në Greqi. Në Shqipëri koronavirus, siç tha Filipçe, ende nuk ka, ndërsa në Kosovë priten informacione.(koha.mk)