Komisioni Europian ka shpallur propozime për një strategji dixhitale që do të përfshijë parimet për përdorimin dhe kontrollin e të dhënave digjitale në Europë, raporton Reuters.
Për më tepër, janë krijuar rregulla për menaxhimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale dhe rregullimin e veprimtarive të gjigandëve të teknologjisë amerikane si Facebook, Google dhe Amazon.
Një paketë masash dhe propozimesh do të përcaktojë të ardhmen digjitale të Europës, tha kreu i Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Masat mbulojnë gjithçka, nga siguria në internet deri tek infrastruktura kritike, nga arsimi digjital deri tek aftësitë, nga demokracia te media. Unë dua që dixhitalizimi në Europë të pasqyrojë më të mirën në drejtësi, diversitet, demokraci dhe vetëbesimin, “tha ajo.
Qëllimi i këtyre masave është të krijojë një treg të vetëm europian të të dhënave dhe të sigurojë që përdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale të marrë parasysh konfidencialitetin dhe shqetësimet etike.
Planet parashikojnë gjithashtu që qendrat e të dhënave në Europë do të jenë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2030.