Një anëtar i stafit i zyrës zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence ka rezultuar pozitiv me koronavirus pas testimeve që iu nënshtrua. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Pence të premten në mbrëmje.
“Këtë mbrëmje (të premten) u informuam se një anëtar i Zyrës së Zëvendës Presidentit rezultoi pozitiv për Koronavirus. As Presidenti Trump dhe as zëvendës presidenti Pence nuk kishin kontakte të ngushta me individin”, tha zëdhënësi Katie Miller. Zyra e shtypit nuk preferoi që të jepte emrin e personit, duke u rezervuar në këtë deklaratë.
Presidenti amerikan Donald Trump caktoi Pence në krye të Task-Forcës, si person përgjegjës për koordinimin e masave të qeverisë së SHBA-ve kundër koronavirusit. CNN bën të ditur se të paktën dy njerëz u testuan pozitivë për koronavirusin pasi morën pjesë në Konferencën e Politikave të Komitetit për Çështjet Publike të Izraelit në Uashington, në të cilën morën pjesë Pence si dhe disa ligjvënës amerikanë dhe ndihmës..
Të dy Pence dhe Presidenti Donald Trump morën pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, muajin e kaluar, ku një i pranishëm i profilit të lartë gjithashtu testoi pozitiv për koronavirusin. Prania e tyre bëri që ligjvënës të shumtë republikanë të vetëkarantinoheshin në javët pas konferencës. Sipas CNN janë 29 kongresmenë amerikanë që janë vetizoluar pas morën pjesë në këtë konferencë
Që nga e hëna, Pence nuk ishte testuar nëse ishte i prekur për koronavirus ose jo. Ndërsa presidenti Trump kreu analizat e testimit, pasi disa ditë më parë, u takua me një delegacion të lartë nga Brazili, në përbërjen e të cilit ishte dhe një person i prekur me koronavirus.
Mjeku i Trump konfirmoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk është i prekur nga sëmundja. CNN bën të ditur se edhe e bija e tij, Ivanka Trump i është kthyer punës në Shtëpinë e Bardhë, pas testimit për koronavirus, ku rezultoi negative.
Ivanka, e cila punon si këshilltare e presidentit Trump, kishte takuar në Shtëpinë e Bardhë, ministrin e Punëve të Brendshme të Australisë, Peter Dutton, i cili pas analizave rezultoi se ishte i prekur koronavirusi. Që pas këtij lajmi, e bija Trump nuk u paraqit në Shtëpinë e Bardhë derisa iu nënshtrua edhe testit të koronavirusit.(si)