Shkëndija e Tetovës ndez shpresat për titullin kampion në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka shkatërroi 4-1 Makedonija GP dhe falë barazimit 0-0 të Vardarit të Shkupit në sfidën me Rabotnickin, diferencë mes dy ekipeve kryesuese është ngushtuar në 8 pikë, transmeton SS.
Kuqezinjtë tetovarë e mbyllën pjesën e parë përballë Makedonija GP në epërsi të një goli, që u shënua nga Imeri në minutën e 39-të. Miqtë reaguan në fillim të pjesës së dytë, duke barazuar shifrat me Jasaroskin me 11-metërsh, por shumë shpejt skuadra e Gjokës tregoi “dhëmbët”, duke shënuar tre gola të njëpasnjëshëm me autorë Nezirin, sërish Imerin dhe Zejnullain.
Javën e ardhshme Shkëndija viziton Borecin, që mbyll klasifikim, ndërsa Vardari luan në fushën e Renovës, që ka marrë tri fitore në katër takimet e fundit.
Rezultatet, java 21
Akademija Pandev – Borec 0-0
Shkendija – Makedonija GP 4-1
Shkupi – Renova 2-3
Struga Trim & Lum – Sileks 0 – 0
Vardar – Rabotnicki 0-0