Prof. Dr. Kesiana Lekbello
Filozofi, sociologu, historiani dhe akademiku i madh francez Paul – Michel Foucault, në veprat e tij ka përshkruar me imtësi historinë e shoqërisë moderne dhe e ka cilësuar atë si “një histori në të cilën shoqëritë moderne rishkruajnë gjithmonë – gramatikën e normalitetit – sipas gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën ndodhen”.
Si të mos i jap të drejt studiuesit të madh Foucault! Për herë të parë në jetën time po përjetoj një epidemi nga afër, ditë për ditë dhe orë mbas ore. Më vjen të them asgjë e re: historia përsëritet në çdo aspekt! Vërtetë, prej vitesh shpjegoj në shkollë Historinë ku konkretisht ndalem edhe tek shkaqet dhe dëmet, që epidemitë kanë krijuar në Europë; si u përgjysmua nga Plasja e Zezë popullsia europiane në 1348, po kështu edhe në 1630.
Po ashtu në Letërsi, çdo vit analizojmë veprat letrare ndër të cilat përmend shkrimtarin italian Giovanni Boccaccio ku në veprën e tij “Decameron” përshkruan jetën e 10 të rinjve gjatë kohës së plasjes së zezë më 1348. Po ashtu shkrimtari tjetër italian, Alessandro Manzoni shkruan më 1827 dhe 1841 vepren monumentale “ I Promessi Sposi” ku përshkruan pikërisht ngjarjet e plasjes së zezë në Milano dhe në rajonin e Lombardisë gjatë vitit 1630.
Këto janë fakte historike të shkruara nëpër libra ndër shekuj. Sot po përjetojmë përsëri epidemitë. Që në momentin e parë të përhapjes së virusit në Itali, e ndërgjegjshme dhe me shumë përgjegjësi, fillova tu flisja djemve te mi të kishin kujdes, por siç themi ne në shqip “I riu është si veriu” dhe ata më përgjigjeshin që po e ekzagjeroja situatën. Mbylljen e shkollës, e cila ndodhi me datën 24 shkurt si cdo nxënës edhe fëmijët e mi e pritën me gëzim … ndërkohë mua mu shtonin mendimet dhe preokupimet. Kanë kaluar 3 javë që shkollat janë mbyllur dhe gjërat, siç i mendoja u vërtetuan: virusi u përhap si flama!
Nxënësit më shkruajnë në e-mail, “Prof, kur do filloj shkolla” u përgjigjem: “të kenë durim, të lexojnë dhe studjojnë materialet që, nëpërmjet kompiuterit i komunikoj, dhe te ndjekin rreguallat qe jep qeveria!”. Nuk di nëse më kanë dëgjuar, por sot me dekret qeverie janë të detyruar të respektojnë ligjin dhe të gjithë këtu në Itali janë te detyruar të qëndrojnë në shtëpi.
Numri i të infektuarve shtohet përditë, të vdekurit po ashtu dhe shpirtërisht kjo situatë të trishton pa masë! Për herë të parë dje në darkë rruga ra në qetësi; qetësia e mbrëmjes dhe heshtja e natës shoqërohet edhe gjatë ditës ku herë pas herë dëgjoj ambulancën me sirenën që kalon posht ballkonit tim dhe them: gjetën një tjetër të infektuar!
Nuk e mohoj dot tronditjen që kam për gjendjen e krijuar këtu në Itali, e dua këtë Vend siç dua dhe Vendin tim, janë pjesë së jetes sime Itali/Shqipëri dhe për këtë aryje vendosa të shkruaj, sepse virusi sjell pasoja kritike për shëndetin publik!
Kur lajmet dhe kuadri trondites i virusit Covin-19 vinte nga Kina/ Whubei, këtu në Itali dhe në përgjithësi në Europë, dukej sikur nuk do të arrinte kurrë. Televizori italian transmetonte shtetërrethimin kinez si diçka e larget, absurde, kritikonte diktaturën e sistemit Xi Jinping, që mbyllte në shtëpi me ‘violencë’ njerëzit.
Kur e “keqja” trokiti në derën Italiane/Europiane, njerëzit e nënvlesuan, nuk u informuan dhe nuk menduan që virusi të ishte kaq tinzar, i padukshëm, që punon nën rrogoz dhe të infekton pa të dhënë asnjë shenjë! Ndërkohë, që je i infektuar dhe pa shenja, bëhesh efektivisht përhapës i sëmundjes dhe kur sëmundja të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke dhe marrje fryme ti mund të kesh infektuar me dhjetra të tjerë dhe ata dhjetra të tjerë me qindra të tjerë.
Në Shqipëri jeni akoma në hapat e parë, mos e nënvlerësoni, sepse ky virus është shumë “demokratik” – infekton në politikë të majtët dhe të djathtët, ata që kanë para dhe ata që s’kanë bukë të hanë, infekton fëmijë, të rinj, moshë mesatare dhe pleq.
E para, mos injoroni asnjëherë rregullat “e thjeshta”: Jo vetëm duar që duhen larë, por mbi të gjitha maskat që përdorni, nuk duhet ti mbani gjatë, ato vlejnë kur dilni jashtë dhe më pas duhen hequr me shumë kujdes dhe duhen hedhur – jo në rrugë, por të mbyllura me një qese.
Fëmijët nuk duhet të luajnë jashtë, sepse ata bëhen transmetues të jashtëzakonshëm të virusit; nuk duhet të takojnë gjyshin apo gjyshen. Le të pushojnë gjatë kësaj periudhe, të luajnë me lodrat në shtëpi, të lexojnë e të shikojnë televizor apo të bëjnë ndonjë detyrë shkolle, por gjithmonë të izoluar në shtëpi.
Kjo është më e rëndësishmja: Qëndroni në shtëpi!
Kjo nuk quhet çmënduri, por ndërgjegje civile. Përndryshe pasojat janë të pallogaritëshme.
Personalisht bashkë me djemtë dhe tim shoq, respektojmë rregullat dhe qëndrojmë në shtëpi.
Kjo perjudhë do zgjasë dhe nuk mbyllet shpejt, ndaj me shumë vëmendje respektoni rregullat, distancat, ruanin vetveten dhe të tjerët.
Nëse më pyesni a kam frikë, nuk e mohoj, por ndjenja e frikës, këtë herë eshte arma më e mirë për vetëmbrojtjen personale dhe për mbrojtjen e tjetrit. Frika në psikologji është koncept pozitiv, sepse të ruan nga e keqa, ndaj frika e drejtë, e kontrolluar nga arsyetimi ështe shume e nevojshme në këto raste për të mos u infektuar.
Nuk mund të luftohet një armik i padukshëm.
Lajmet janë tronditëse! Në Itali, në tre javë kemi mbi 800 të vdekur! Italia po përjeton një emergjencë shëndetësore të paparë, e thonë mjekët dhe infermierët që kanë harruar shtëpitë e tyre. Spitalet këtu tek ne në Emilia- Romagna janë të nivelit të lartë, por pavionet e infektimeve – pothuajse në të gjitha spitalet – nuk e përballojnë dot gjendjen e jashtëzakonshme. Problemi është ndërkombëtar dhe situata është epokale.
Arritëm këtu duke e nënvlerësuar problemin! Shqipëria nuk duhet të gabojë.
*Kesiana Lekbello, jeton dhe punon në Forli / Emilia Romagna në Itali. Ajo jep mësim në Instituti Comprensivo N7 / Scuole Pubbliche Medie-Media Pietro Zangheri, Forli