Një 23-vjeçar nga Singapori me origjinë kineze që studion në Londër, është sulmuar për shkak të etnisë së tij në mesin e frikës që po shkakton në mbarë botën përhapja e koronavirusit.
Jonathan Mok shkroi për përvojën e vet në një postim në Facebook, ku tregoi me detaje sulmin nga një grup njerëzish në Oxford Street, një zonë kjo mjaft e populluar tregtare në zemër të kryeqytetit britanik. Agresioni ndaj tij vjen në një kohë kur ksenofobia kundër personave me pamje aziatike në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbarë botën, është rritur.
“Djali që më goditi më tha: Nuk e dua koronavirusin tuaj në vendin tim; pas kësaj më dha një grusht, i cili bëri që të më shpërthente gjak nga hunda”, ka shkruar 23-vjeçari.
Mjekët pohuan se goditjet i kanë shkaktuar disa fraktura në fytyrë, dhe se mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Krerët e policisë londineze thanë se sulmi po hetohet, por deri tani nuk është bërë asnjë arrestim, ndërsa po verifikohen me kujdes pamjet e marra nga kamerat e sigurisë. Rasti i Mok është një prej disa incidenteve të ngjashme të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar që prej shpërthimit të epidemisë, aq sa edhe grupi i ndërgjegjësimit për krimin e urrejtjes Stop Hate UK u shpreh thellësisht i shqetësuar.
Përfaqësues të tij sqaruan se janë shtuar ndjeshëm së fundi telefonat nga njerëz që kanë përjetuar në këtë periudhë racizmin, diskriminimin dhe abuzimin verbal.
Top Channel