Ballina Aktualitet “Po kaloj me Zahon kohë që s’kam pasur kurrë mundësi”, Rama flet...

“Po kaloj me Zahon kohë që s’kam pasur kurrë mundësi”, Rama flet me rroba shtëpie nga Surreli: Kush del me makinë humbet patentën përgjithmonë. Ata që rrisin çmimet do të…

Njëherë me këngën e një gjeli nga pas dhe pak më vonë me këngën e kukuvajkës në sfond, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh nga shtëpia e tij në Surrel, ku ashtu si çdo shqiptar ka qëndruar për të zbatuar masat ndaj koronavirusit.

I veshur me rroba shtëpie, Rama thotë se po kalon me djalin e tij të vogël, Zahon kohë që s’ka pasur kurrë mundësi ta ketë dhe se i vjen mirë që shumica e kanë mirëpritur shtetrrethimin dhe masat e qeverisë.

Rama paralajmëron një paketë të re masash e sanksionesh, për ata që abuzojnë si me lëvizjen, ashtu dhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve.

““Përshëndetje nga Surreli të dashur miq. Shumë faleminderit për mirëkuptimin fantastik që po tregoni. Rastet e shkeljeve sot në Tiranë dhe në Durrës kanë qenë aq minimale sa që me 0.01 % shkelje në raport me 1 milion banorë që jetojnë brenda këtij perimetri të metropolit shqiptar duhet të ndihemi shumë mirë për ndihmën e jashtëzakonshme që po i japim njeri-tjetrit. Do të jetë një luftë e gjatë, që do të na duket shekullore ngaqë nuk jemi mësuar të rrimë në shtëpi, të mos lëvizim me makinë, të mos ulemi me orë nëpër kafene, të mos takojmë njeri-tjetrin, të mos shkojmë të shohim nënë e babë kur jetojnë më vete, e me radhë, e me radhë. Por nuk ka asnjë rrugë tjetër nëse nuk duam dhe nuk duam të shkojmë me këmbët tona si cjapi tek kasapi, sepse nëse nuk duam të bëhemi bashkëfajtorë në lëndimin eapo largqoftë humbjen e të afërmve dhe miqve tanë ne do qëndrojmë në këtë rrugë. Do të luftojmë pa pushim me forcën e zakoneve të jetës normale. Nuk kemi opsion tjetër përveçse t’i mundim zakonet e jetës normale, duke u armatosur deri në dhëmbë me durim dhe duke kërkuar dhe gjetur pozitivitet tek mundësia për të qëndruar në shtëpi, me familjen, me fëmijët, me prindërit kur i kemi pranë nën një çati. Sot që flasim numri i të prekurve ka arritur në 33 dhe duhet të dimë që do të vazhdojë të rritet sepse siç na e shpjegon eksperienca botërore, kurbën e epidemisë së koronavirusit nuk kemi në dorë ta ndalim por vetëm ta ngadalësojmë me masa shtrënguese dhe me këtë luftë të përbashkët të zakoneve të jetës normale. Masat shtrënguese do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, prandaj duhet ta ndajmë mendjen mirë që as mund t’i sfidojmë dhe as mund t’i diskutojmë por vetëm duhet t’i zbatojmë ato. Ja ku më keni dhe mua, hyr e dil nga brenda shtëpisë, jashtë në ballkon sepse jo vetëm s’ka ofiq dhe as gjatësi që na dallon në këtë mes por edhe shoferët e truprojat nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të lënë familjet e tyre nëse asnjë urgjencë e jashtëzakonshme nuk më detyron mua të dal bashkë me ta.
Fatmirësisht unë jam dhe i mësuar të punoj shumë online me ministrat dhe bashkëpunëtorët dhe përveç punës nuk më duket aspak keq që të kaloj me Zahon, kohë që s’kam pasur kurrë mundësi ta kem, kështu siç e kemi sot që kur ka lindur. Si zakonisht ju ndjek dhe juve, tanimë jo nga makina por nga shtëpia duke u futur hera-herës. Më vjen mirë që shumica juaj, thuajse të gjithë në fakt, e keni mirëpritur këtë shtetrrethim të këtyre 3 ditëve dhe 2 netëve në Tiranë dhe në Durrës. Nuk rri dot pa thënë që më vjen mirë po ashtu se deri dhe vlonjatët nuk e kanë shkelur më shumë se sa të tjerët, dmth fare pak rregullin e moslëvizjes me makinë në qytet. Por e përsëris ky është vetëm fillimi fare i një lufte nervash që do të zgjasë. Askush nuk e di dhe nuk e thotë dot sa do zgjasë. Por sidoqoftë, nuk do jetë një histori shumë e shkurtër dhe as shumë e lehtë. Më shani e mallkoni mua sa të doni nuk ka asnjë problem por masat do të përshkallëzohen bashkë me ndëshkimet. Për shembull, kush do të kapet në qarkullim në thyerje të rregullores së emergjencës mund ta humbasë patentën përfundimisht dhe të ndalohet të hyjë në kurs për ta rimarrë për disa vjet. Apo kush do të luajë të zgjuarin me çmimet e ushqimeve dhe të barnave mund ta humbasë përfundimisht të drejtën të tregtojë më ushqime e barna dhe me radhë. Ka një sërë sanksionesh të reja që po përgatiten për të përballuar dezertorët e mundshëm, të cilët në vijim mund ta humbasin luftën e nervave dhe të kujtojnë gabimisht se mund t’ia hedhin po të shkelin rregullat. Në asnjë mënyrë jo!
Le të mos flasim në këtë moment për masat e mëtejshme dhe për sanksionet që do t’i shoqërojnë doemos dhe le t’i gëzohemi për momentin manifestimit fantastik të solidaritetit ku po marrin pjesë të veçuar nga njëri-tjetri si kurrë më parë dhe të bashkuar në një qëllim si kurrë më parë me njeri-tjetrin, pa asnjë dallim. Super, super, super! Ju përqafoj nga larg dhe mos harroni këshillat”.

https://youtu.be/ZrHF5Smj_Hg