Në Gostivar është paraqitur rasti i parë me virusin korona. Bëhet fjalë për një grua në moshën 40-vjeçare e cila para dhjetë ditësh është kthyer nga Gjermania. Pacientja është izoluar në Repartin Infektiv në Gostivar ndërsa do dërgohet në Klinikën Infektive në Shkup. Po merren masat e duhura për izolim dhe testim të njerëzve me të cilët ka pasur kontakt e infektuara. Deri më tani në Gostivar janë testuar rreth njëzetë persona tjerë, ndërsa rezultatet e tyre janë negative. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi korona në vend tashmë shkon në 43, raporton Alsat, përcjell KOHA.
Ndryshe sot, Shtabi i krizave në Komunën e Gostivarit, në të cilën krahas përfaqësuesve të institucioneve, ishin edhe kryetarët e Komunës së Vrapçishtit dhe Mavrovë-Rostushes, në krye me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka sjellë këto konkluzione:
-Në mënyrë konsekuente të respektohen rekomandimet e Qeverisë dhe në përgjithësi të mos bëhet kompromis.
-Të gjitha institucionet ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre me qëllim që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi,
-Të zhvillohet strategjia për izolimin e rasteve potenciale me koronavirus dhe të sigurohen kushte të përshtatshme,
-Të ruhet nivel i lartë i higjienës në të gjitha institucionet shtetërore dhe komunale
-Lëvizja e qytetare të reduktohet në minimumin e mundshëm, -Bashkëpunimi midis institucioneve të ngrihet në nivelin maksimal. Gjatë ditës do të kontaktohet me pronarët e tregjeve dhe do të kërkohet prej tyre t’i mbyllin ekspoziturat, edhe pse nuk përfshihen në masa.