Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Uashington presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.
“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë”, tha Thaçi.
“Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve”, shtoi ai.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.
Thaçi tha se në takim nuk është diskutuar për “gjëra të veçanta”, ndërsa shtoi se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë vlerësuar “rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara” në dialog.
“Shpresoj se në etapat e ardhshme do të kemi orientime, sa i përket substancës, por, në të njëjtën kohë, edhe afateve kohore. Por, ajo që mund të them aktualisht është se ky takim ka qenë takim i vullnetit të mirë, simbolikë e dërgimit të mesazhit të paqes për Kosovën dhe Serbinë dhe për Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se takimi i së hënës rikonfirmon edhe një herë zotimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’i lëvizë gjërat përpara me një dinamikë të re.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar të jetë takuar me presidentin serb, Alleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se takimi ishte zhvilluar me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump”, tha Thaçi,
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, deklaroi më tej presidenti i vendit.
“Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, përfundoi ai.