Anastasia Petrova, 36 vjeçe, redaktore e një reviste biznesi në qytetin Perm të Rusisë, ka humbur jetën nga koronavirusi, duke u kthyer kështu viktima me moshën më të re në këtë shtet.
Anastasia, si pasojë e shpërthimit të koronavirusit, punonte nga shtëpia dhe kur gjente kohë kujdesej për dy djemtë e saj të mitur, Ilya 12 vjeç dhe Yaroslav 10 vjeç.
Ndërkohë, para një jave atë e “pushtuan” ethet, si dhe kishte dhimbje të fytit të shoqëruara me kollë të thatë, simptoma këto të koronavirusit.
Pas konsultës tek një mjek, gruaja i kishte konfirmuar atij që kishte pasur kontakte me tre persona që kishin ardhur nga vende të tjera.
Temperatura e Anastasias rritej gjithnjë dhe më shumë dhe për ta përballuar, konsumonte shpesh paracetamol. Mbrëmjen e 24 marsit, ajo iu drejtua spitalit pasi simptomat e saj kishin agravuar dhe gjendja ishte përkeqësuar.
Më 27 mars, 36 vjeçarja postoi se testi i saj i parë, kishte rezultuar negativ për COVID-19. Mirëpo, kur mori përgjigjen e testit të dytë ajo i dërgoi mesazh shoqes së saj Yulia:
“Yulia, testi im i dytë rezultoi pozitiv për koronavirusin. Ndihem shumë keq”.
Ky ishte komunikimi i fundit i saj, pasi ndërroi jetë disa orë më vonë.
Ndërkaq, dy djemtë e Anastasias, raportohen të jenë negative për koronavirusin.