Ekspertët kanë paralajmëruar se bota do të përballet me një krizë të shëndetit mendor pas pandemisë së koronavirusit.
“Shkalla e këtij problemi është shumë serioze për tu injoruar, si në aspektin e çdo njeriu që mund të preket, ashtu edhe për sa i përket ndikimit më të gjerë në shoqëri”
Dhjetëra shkencëtarë të shëndetit mendor, përfshirë neuroshkencëtarë, psikiatër, psikologë dhe ekspertë të shëndetit publik kanë paralajmëruar se kjo gjendje afatgjatë e koronavirusit, patjetër do të ndikojnë në shëndetin mendor të njerëzve dhe kërkuan që qeveritë të japin përparësi për hulumtimet në mënyrë që të japin trajtime të bazuara në prova. Paralajmërimi i tyre, në revistën “Lancet Psychiatry”, vjen pasi një studim i ri i kryer në fund të marsit zbuloi se shëndeti mendor i njerëzve tashmë po preket nga politika e izolimit.
Sondazhi i 1,099 anëtarëve zbuloi rritje të niveleve të ankthit dhe frikës si rezultat i koronavirusit. Mbi gjysma e përgjigjeve të popullatës, tregonin se vuanin nga gjendja e ankthit. Përhapjet e mëparshme të sëmundjes infektive kanë ndikuar në shëndetin mendor.
Pas epidemisë SARS në 2003 pati një rritje prej 30 për qind të vetëvrasjeve në moshën mbi 65 vjeç dhe 29 për qind e punonjësve të kujdesit shëndetësor vuanin nga shqetësime emocionale.
Profesori Rory O’Connor, nga Universiteti i Glasgow dhe një nga autorët e studimit tha se rritja e izolimit shoqëror, vetmia, ankthi, stresi dhe rënia ekonomike janë një stuhi e përsosur, për të dëmtuar shëndetin mendor dhe mirëqenien e njerëzve.
“Nëse nuk bëjmë asgjë, rrezikojmë të shohim një rritje të problemeve të shëndetit mendor, të njerëzve siç janë ankthi dhe depresioni dhe një shpeshtësi të sjelljeve problematike siç janë konsumimi i tepruar i alkoolit dhe varësia nga droga, bixhozi dhe prishja e marrëdhënieve të shëndetshme. Shkalla e këtij problemi është shumë serioze për tu injoruar, si në aspektin e çdo jete njerëzore që mund të preket, ashtu edhe për sa i përket ndikimit më të gjerë në shoqëri,” shprehet Connor.
Revista “Lancet Psychiatry bën thirrje që kërkimi është thelbësor për përgjigjen globale ndaj pandemisë, por nxjerr në pah vetëm një numër të vogël të kërkimit shkencor në Covid-19, që u përqendrua në pasojat e shëndetit mendor. Në studim thuhet se monitorimi nga momenti në moment, do të jetë i nevojshëm me teknologjinë e re, siç janë telefonat mobil, për të trajtuar gjendjen në distancë të ankthit, depresioni, vetë-dëmtimi, vetëvrasjet, si dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
“Ne kemi nevojë për një përgjigje kërkimore nëse do të kufizojmë pasojat negative të kësaj pandemie në shëndetin mendor të shoqërisë sonë tani dhe në të ardhmen,” u shpreh Ed Bullmore, nga universiteti i Kembrixhit.
Ai shprehet se për të bërë të mundur këtë gjë ne duhet të përdorim mjete digjitale dhe të gjejmë mënyra të reja për të matur shëndetin mendor të individëve nga distanca dhe më pas të gjejmë mënyra se si mund t’i trajtojmë ata lehtësisht.
“Kjo përpjekje duhet të konsiderohet thelbësore për përgjigjen tonë ndaj pandemisë,” shtoi ai.(The Independent)