Pandemia COVID-19, ndërmjet shumë degëve të ekonomisë globale, ka goditur edhe bujqësinë. Janë fermerët gjermanë të cilëve, bashkë me koronavirusin, në derë u ka trokitur edhe thatësira që nga muaji mars.
Fermerët gjermanë, të mësuar me lagështirë gjatë pjesës më të madhe të vitit, prej pak vitesh po përballen me thatësirë që në muajt e pranverës. Në këto vitet e fundit, mungesa e reshjeve pa ardhur ende periudha e nxehtë, i gjen fermerët gjermanë të pa-përgatitur. Duke shtuar këtë vit edhe efektin e pandemisë, ata shprehin pasiguri mbi të ardhurat nga puna e tyre.
“Ka patur edhe në të shkuarën stinë të nxehta dhe të thata por në vitet e fundit, thatësira sa vjen dhe shtohet. Ky vit e solli thatësirën që në mars dhe kur ka mbetur vetëm 1 muaj nga pranvera, flitet për një tjetër verë të nxehtë në Gjermani. Së shpejti, do ndiejmë mungesën e ujit për vaditje”, thotë një prej tyre, Ashim Siepen.
Edhe në kushte kufizimi prej koronavirusit, fermerët gjermanë kanë mundur të menaxhojnë shitjen e asparagut në Europën Lindore edhe pse për të tretin vit, Gjermania po kalon thatësirë të gjatë.
Moti i nxehtë 2018-2019 solli dëme të mëdha në kulturat bujqësore gjermane pasi reshjet vjetore shënuan 5 herë më pak se vlerat normale dhe thatësira dominoi pjesën më të madhe të vitit.
Bazuar në parashikimet afatgjata, klima në Europën Qendrore nuk do të favorizojë në të ardhmen, rritjen e disa kulturave bujqësore, prandaj dhe fermerët gjermanë shprehen të shqetësuar.
“Objektivi ynë është të përshtatemi me ndryshimet klimatike, Gjermania është vendi kryesor në Bashkimin Europian për kultivimin e drithërave dhe kemi nevojë për mbrojtje nga dimrat e butë dhe verat e thata”, shton Siepen.
Në vetëm 2 vitet e fundit, thatësira dhe i nxehti kanë dëmtuar hektarë me të mbjella dhe miliona bimë dhe pemë frutore.
Fermerët çdo vit përballen me vështirësi për shkak të motit dhe klimës, por këtë vit dëmet pritet të jenë më të mëdha pasi valët e të nxehtit afrikan e kanë mësuar tashmë rrugën për Gjermani. Këtë vit i nxehti do të vijë më herët dhe parashikohet të largohet nga mesi i shtatorit.