Ditën e enjte hapen kafenetë, restorantet dhe objektet hotelierike në Maqedoninë e Veriut. Por ato do të funksionojnë sipas disa rregullave të përcaktuara me protokollet që ka miratuar Qeveria.
Sipas protokolleve të Qeverisë, prej 28 majit 2020 mund të fillojnë me punë kafiteritë dhe objektet hotelierike me vizitorë në pjesët e hapura të këtyre objekteve (terraca), me respektim të obligueshëm të Protokollit për hapje dhe punë të kafiterive dhe të Protokollit për hapjen dhe punën e objekteve hotelierike për ushqim, të përcaktuara nga ana e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Protokolli për hapje dhe punë të objekteve hotelierike për ushqim përcakton se orari i punës është kufizuar prej orës 08:00 deri në orën 22:00, dhe lejohet puna vetëm në pjesët e hapura të objekteve hotelierike për ushqim me shërbim, të cilat janë të hapura në tre anë të konstruksionit të çatisë.
Të punësuarit në objektin hotelierik të cilët shërbejnë janë të obliguar që të mbajnë maska mbrojtëse dhe të lajnë shpesh duart, ndërsa kufizohet edhe numri i mysafirëve, gjegjësisht do të shërbehen vetëm mysafirë të cilët mund të ulen ose persona të cilët përmes sportelit do të marrin porositë, gjegjësisht nuk është e lejuar shërbimi i mysafirëve duke qëndruar në banak ose këmbë në tavolina.
Protokolli bën të ditur se është i obligueshëm menaxhimi në hyrje i mysafirëve për të cilin nevojitet që të përcaktohet personi përgjegjës.
Në hapësirën e hapur për shërbimin e mysafirëve ku ka të vendosur tavolina, të sigurohet distancë ndërmjet karrigeve prej 1,5 -2 metra me tavolinat fqinje në të gjitha drejtimet, ndërsa në një tavolinë me katër karrige mund të ulen dhe të shërbehen maksimum dy persona, përderisa në një tavolinë me katër karrige mund të shërbehen katër persona nëse janë nga familja e njëjtë.
Protokolli lejon numër maksimal prej 12 personave në tavolina të bashkuara bashkë me distancën e obliguar ndërmjet secilit mysafir prej 1,5 metra.
Është e obligueshme vendosja e mjetit për dezinfektim në secilën tavolinë, si dhe kontrolle të përforcuara të brendshme të të punësuarve për mbajtjen e higjienës personale (larje e shpeshtë e duarve) në të gjitha fazat e përgatitjes, pranimit dhe shërbimit të ushqimit nga ana e personit përgjegjës.
Kërkohen masa të përforcuara sanitare-higjienike, pastrim i tavolinave me mjet për dezinfektim i cili vepron në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit gjatë largimit të mysafirëve nga secila tavolinë, ndërsa në fund të ndërrimit është i obligueshëm pastrimi dhe dezinfektimi mekanik me mjet i cili ndikon në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit, në mënyrë alternative do të mund të shfrytëzohet 0,05% natrium hipohlorit (5 % zbardhues për amvisëri i cili përdoret në proporcion 1:100) ose 70 % alkool për dezinfektim të hapësirave të larta.
Protokolli përcakton se është e obligueshme mirëmbajtja e rregullt e tualeteve duke mbajtur evidencë për pastrimin e bërë dhe me përdorim të mjeteve dezinfektuese.
Në tualetet ndalohet shfrytëzimi i tharësve të duarve, ndërsa është i obligueshëm shfrytëzimi i letrave higjienike për duar për një përdorim. Në këtë fazë protokolli ndalon organizimin e ahengjeve (dasma, ditëlindje, pagëzime dhe të ngjashme).