Fraza harmonike me tinguj kumbues sa herë që virusi “pushton” qelizat e indit, gjëmime që i ngjajnë motit me furtunë, sa herë që koronavirusi shumohet, kombinohen për të krijuar një simfoni muzikore që pasqyron në tinguj koronavirusin në veprim.
Shkencëtarët kanë arritur të përkthejnë në gjuhën e notave muzikore reaksionet biologjike të koronavirusit në përpjekje për ta kuptuar më mire, thotë VOA. Professor Markus Buehler në Institutin e Masaçusetsit për Teknologji (MIT) dhe ekipi i tij po përdorin inteligjencën artificiale për ta transformuar modelin e strukturës së proteinave të koronavirusit në nota të një kompozimi të muzikës klasike.
Studiuesit identifikojnë me një notë specifike muzikore çdo amino acid, një ndër blloqet përbërëse të çdo proteine të virusit. Një algoritëm kompiuterik i kombinon notat dhe krijon muzikë. Buehler beson se duke dëgjuar muzikën njerëzit arrijnë të krijojnë një ide më të qartë të mënyrës si vepron virusi.
“Për ta ndjekur me sy, duhet ta zmadhosh shumë dhe ta shohësh në këndë të ndryshme. Përmes notave, e ndjek procesin me 2-3 sekonda muzikë”. Pjesa muzikore zgjat 1 orë e 50 minuta. Frazat e para të kompozimit për shumë dëgjues tingellojnë melodioze dhe qetësuese, e kjo sipas ekspertëve, reflekton lehtësi me të cilën virusi pushton qelizat, duke I manipuluar që të caktivizojnë sistemin mbrojtës.
Kur virusi fillon të shumëfishohet dhe proteina fillon të sulmojë qeliza të tjera, muzika bëhet dramatike dhe e zymtë. Një nga dëgjuesit u shpreh se mendon që në këtë moment i sëmuri fillon të ketë temperaturë.