Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar me nje qendrim pas akzuave te ngritura nje dite me pare ndaj presidentit te Kosoves, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.
“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.