Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce bëri të ditur se sot, ose më së voni nesër, do të shpallen publikisht emrat e personave që nuk pranojnë vendimin për vetizolim, ndërsa sipas tij bëhet fjalë për 450 vendime të tilla.
“Mëngjesin e sotëm diskutuam edhe një herë në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive se si mund ta zgjidhim këtë problem. Bëhet fjalë për 450 vendime për të cilat ne prisnim ndihmë nga Ministria e Brendshme, por që nuk janë shpërndarë, janë kthyer mbrapsht. Ka të ngjarë që sot ose nesër më së voni të realizojmë, një lloj njoftimi publik, sepse, thjesht, njerëzit nuk janë të disponueshëm ose japin informacion të gabuar në pyetësor. Këta janë njerëz që paraqesin rrezik të madh, edhe nëse janë bartës asimptomatikë të virusit dhe nëse lëvizin mes njerëzve dhe nuk pranojnë vetë-izolimin, mund të përhapin sëmundjen. Kështu që, mendoj që këto ditë do të zgjidhet edhe ky problem”, tha Filipce gjatë vizitës së sotme në Prilep.