Milazim Berisha, babai i 20-vjeçares e cila ishte zhdukur, ka treguar se vajza e tij ka kaluar ditë të rënda në Kukës të Shqipërisë, 3 ditë pasi u zhduk me të dalë nga shtëpia mëngjesin e së premtes.
Mediat në Shqipëri kanë raportuar dy vëllezër janë arrestuar në Kukës pasi dyshohet se abazuan seksualisht me 20-vjeçaren me të meta.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe babai i saj, Milazim Berisha. Ai ka thënë se vajza e tij aktualisht është në gjendje jo të mirë, ndërsa ka thënë se një person tjetër, që sipas tij është i dyshuari kryesor, është ende në kërkim.
“E kanë pru mbrëmë. Në ora 02:00 të mëngjesit jam kthy në shtëpi. Kemi ardhë me Polici. Policia e Kukësit na kanë pru deri këtu. Tani kanë dalë të Kosovës e kanë marrë këtu, e kanë çu te mjekët”, ka thënë Milazim Berisha për Sinjalin.
Arrestimi i dy vëllezërve nga fshati Lojme i Kukësit (njëri 31 vjeç e tjetri 24) u bë pasi dyshohet se ata kishin kryer marrëdhënie seksuale me 20-vjeçaren, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj.
Materialet akuzuese ndaj XH. H. dhe M. H. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës që do t’i hetojë ata për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
20-vjeçarja nga fshati Volljakë i Klinës ishte zhdukur të premtën në mëngjes. E njëjta ishte zhdukur edhe para më shumë se një viti, ndërsa kur ishte gjetur nga Policia, kishte tentuar t’ia vë flakën vetës.