Ideja e BDI-së për ndryshimin e himnit kombëtar maqedonas në një simbol shtetëror që pasqyron karakterin shumë-etnik të vendit, sipas studiuesve paraqet një premtim bosh dhe të vonuar. Historiani Qerim Lita thotë se koha e kësaj ideje ka qenë në vitin 2001 paralelisht me Marrëveshjen e Ohrit. Lita shton se ky veprim i BDI-së dëshmon mungesën e programit zgjedhor cilësor.
“Kjo garniturë politike e cila erdhi në pushtet si rrjedhojë e luftës dhe që sot pas 20 viteve që manipulon me shqiptarët, tenton edhe njëherë me këso projekte të imta të manipulojë me shqiptarët. Unë mendoj se ka ardhur koha që kjo garniturë të shkojë në opozitë”-thotë Qerim Lita, Historian.
Për të dëshmuar se sa jo serioze është kjo ide, Lita krahason ndryshimin e himnit me idenë e BDI-së nga viti 2014 kur partia e Ahmetit mbronte ndryshimin e stemës me luanin e VMRO-së duke e cilësuar luanin si figurë që përmban edhe elemente shqiptare.
“Ky nacionalizëm i BDI-së është i dyshimtë. Më kujtohet 2013-2014 kur ishte propozim i Qeverisë VMRO-BDI ndryshimi i stemës së Maqedonisë, ajo garniturë udhëheqëse e BDI-së angazhoi disa pseudo historian nga Shqipëria të cilët erdhën në Shkup dhe promovuan luanin si figurë shqiptare, pra luanin e VMRO-së që bullgaro-maqedonasit, njëherë bullgarët pastaj maqedonasit në emër të luanit kanë bërë krime ndaj popullit shqiptar”- pohoi Qerim Lita, Historian.
Simbolet shtetërore janë kategori kushtetuese të cilat mbrohen me nenin 5 të Kushtetutës. Ndryshimi i Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit kërkon 2/3 e votave. Praktikat ndërkombëtare kanë dëshmuar se për ndryshimin e atributeve kryesore shtetërore janë organizuar edhe referendume.