Në Bogovinë të Tetovës ekziston akoma një mulli i cili misrin dhe grurin i bluan me gurë. Është i veçantë pasi që mulli të tillë nuk ka në rajon. Ramadan dhe Muahmet Velija janë mullixhi të vetëm në rajon por ndoshta edhe më gjerë. Ata janë duke punuar në mes të këtij fshati që nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane. Nuk dihet se sa i vjetër është ky mulli, pasi që sipas Ramadanit pesë breza që ai i din janë marrë me këtë zanatë, ndërsa sipas tij as stërgjyshi nuk e ka ditur se sa breza më parë e kanë punuar këtë mulli.
“Koha e Turqisë kur ka qenë këtu janë ndërtuar 520 vjet Turqia ka qëndruar këtu, askush nuk e dinë për këta mulli , baba I babës tim 82 vet ai nuk dinte gjë, baba I babës gjysh tim baba Idriz ai ai nuk dinte asgjë , dhe baba im nuk dinte asgjë baba Idiz Baba Kamber katër breza nëse I numrin 400 vjet nuk dinë asgjë , kështu siç është vetëm diçka kemi riparuar”, tha Ramadan Velija, mullixhi.
Ramadani e ka humbur njërin krah në vitin 1981, pikërisht në këtë mulli me ujë. Ai tregon historinë e humbjes së gjymtyrit.
“Me 27 maj të vitt 1981 ai druri ma ka kap krahun, kishin ngel mbeturina, ky druri reagon për tan dale gurin , ku punonte këtë e lëshojë për të kaluar drithi dhe me nuk qen aty kjo e ndale”, u shpreh Ramadan Velija, mullixhi.
Por mielli i bluar me mulli me gurë, është shumë më i shëndetshëm dhe buka ka shije tjetër. Nuk humb vlerat e veta ushqyese dhe është shumë më i shijshëm, thotë Ramdani.
“Kanë interesim për bio, fabrika mund ta bluaj edhe më mirë por këtë shije nuk mund të sjellin”, theksoi Ramadan Velija.
Problemi i funksionimit të këtyre mullinjve është edhe furnizimi me ujë, vetëm dy muaj kanë ujë sa duhet gjatë muajit korrik dhe gusht, ndërsa hedhja e mbeturinave në lum u shkakton këtyre problemeve që bllokon. Guri është sjell nga Mitrovica edhe është një gur i veçantë që do orë të tëra për ta rregulluar që drithërat të bluhen ashtu siç duhet.
“Këta gur janë nga Mitrovica nuk janë gurë lumi se guri lumit nuk bluan, këta janë badem, dhe një herë në javë duhet të gjenden, dy orë merr njëra anë dy orë ana tjetër se më parë bluanim, tre dutë për Grurë për ushqim, tre për kafshët dhe tre miell misëri dhe patjetër të gdhenden”, potencoi Ramadan Velija, mullixhi.
Në kohërat e mëhershme në çdo vendbanim kishte nga një mulli që bluante miell për nevojat e fshatit. Këta konsideroheshin njerëzit më ta pasur, një mulli kushtonte sa 30 hektarë tokë, ndërsa tani mullixhiu që akoma bluan miellin me gur që rrotullohet nga uji, është lënë në harresë. /TV21/