Mbeturina në çdo cep, qen endacak dhe aromë e keqe kundërmonte në një nga vendet me potencial turistik në Malin Sharr. Një nga vizituesit që ndodhej aty tha se ajo që e kishte bërë të ndjehet keq ishte gjendja në të cilën e kishte gjetur këtë vend. Ndërkaq, autoritetet kompetente deklaruan se kryejnë pastrimin e vendit çdo të premte, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk me datë 3 korrik, ishte në vendin e ashtuquajtur “Lëndina e ambasadorëve” apo “Guri i Sidollit”. Në këtë vend të bukur malor kishte mbeturina dhe erë të keqe. Madje, edhe qen endacak.
Një nga vizitorët që ishte atje shprehi keqardhjene për këtë vend.
“Është privilegj për ne që posedojmë Malin Sharr me gjithë ato bukuri. Ajo që më bëri të ndjehem keq është gjendja në të cilën e gjeta këtë vend. Nuk e kuptoj se si njerëzit nuk arrijnë t’a mirëmbajnë pastërtinë e vendit të tyre, në çdo pjesë kanë shpërndarë mbeturinat e tyre të cilat kanë dhe erë të keqe. Ndoshta edhe organet kompetente duhet të ndërmarrin masa të duhura për parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve të tilla si në këtë vend ku jemi sot, ashtu edhe në pjesët tjera të Malit Sharr ku organizohen vizita të tilla nga turist të vendeve të ndryshme”, theksoi Nderim A.
Nga ana tjetër, nga Ndërmarrja Komunale Publike na thanë se e kryejnë pastrimin e këtij vendi çdo të premte.
“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju informojmë se NPK Tetovë përmes Sektorit për Higjienë Komunale kryen pastrimin e lokacionit një herë në javë çdo të premte në pajtim me programin për punë, gjithashtu kemi vendosur dhe dy kontenjer të cilët pastrohen rregullisht sipas planit për punë”, deklaruan nga NPK Tetovë për Portalb.mk.
Ndryshe, rajoni i Tetovës me vite përballet me problemin e grumbullimit të mbeturinave dhe me deponi të egra. Me datë 22.06.2020, një grumbull mbeturinash u pa në ish-deponinë ilegale të Tetovës në rrugën e vjetër Tetovë-Shkup. Ndërkaq në lumin Shkumbin dhe në një pjesë të lumit te Banja e Tetovës shpesh shohim mbeturina që hudhen nga njerëzit.
Në fund të pjesës veriperëndimore të territorit të Republikës së Maqedonisë ndodhet “Mali Sharr”, një nga më të lartët dhe sipas sipërfaqes është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.
Vendi “Guri i Sidollit” ndryshe quhet edhe si “Lëndina e Ambasadorëve”, me qëllim që ambasadorët e akredituar në Maqedoni në Malin Sharr të kenë pjesën e tyre, ku do dalin edhe për rekreacion edhe për dhënien e ndihmave të tyre për zhvillimin e turizmit malor./Portalb.mk