Komisioni Shtetëror Zgjedhor çertifikoi mandatet e deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut 2020. Koal*icioni LSDM-BESA mori 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së mori 44, Bashkimi Demokratik për Integrim mori 15 mandate, koalicioni ASH-AAA siguroi 12 mandate, Partia E majta 2 dhe PDSH 1. Për shkak të pandemisë, jo të gjithë deputetët erdhën t’i marrin çertifikatat e tyre. Gjatë këtij mandati katër vjeçar në godinën ligjvënëse shqiptarët do të përfaqësohen nga gjithsej 32 deputetë shqiptarë nëpër parti dhe koalicione të ndryshme.
Kreu i KSHZ Oliver Derkovski tha se këto janë zgjedhjet e para jo vetëm nën rrezikun e virusit korona, por edhe të sulmeve të hakerëve të huaj në platformën elektronike të KSHZ-së gjatë kalkulimit të rezultateve zgjedhore.
“Megjithatë, vlerësoj se ajo assesi nuk mund të ndërlidhet me procesin zgjedhor për shkak se edhe rezultatet e zgjedhjeve vërtetohen në një mënyrë ndryshe dhe ka procedurë të posaçme. Nuk mund të ndikoj në asnjë rast në atë që KSHZ e ka përpunuar”- deklaroi – Oliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.
Shpallja e rezultateve nga KSHZ i hap rrugën konstituimit të përbërjes së re parlamentare, në të cilën do të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit. Sipas Kushtetutës, Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa mbledhjen e përbërjes së re duhet ta thërrasë ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, më së voni deri më 4 gusht. Nëse Xhaferi, i cili dje u hospitalizua në Klinikën infektive në Shkup, nuk do të jetë në gjendje ta caktojë mbledhjen konstituive, dispozitat kushtetuese dhe ligjore parashohin që këtë ta bëjë deputeti më i moshuar nga përbërja e re parlamentare.
Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski është i obliguar që në afat prej 10 ditëve, mandatin për formimin e qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, ndërkaq, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i parashtrojë programin dhe propozim përbërjen e Qeverisë.