Ballina Argëtim Jetë & Stil Bum kërkesash për ndërhyrje kirurgjikale pas karantinës, si po e shfrytëzojnë shqiptarët...

Bum kërkesash për ndërhyrje kirurgjikale pas karantinës, si po e shfrytëzojnë shqiptarët mbajtjen e maskës

Fjala “krizë” nga COVID-19 mbetet e huaj për klinikat që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në vend. Përfaqësuesit e tyre pohojnë se nuk po kalojnë një periudhë të artë, por pas hapjes së klinikave ka pasur bum kërkesash, sidomos për vendosjen e balonit gastrik, rritja është 15%, heqjen e dhjamit, rimodelimin e hundës, të trupit dhe mbjelljes të flokëve. Ashtu si në gjithë botën, shqiptarët po e shfrytëzojnë mbajtjen e maskës ose punën nga shtëpia për të bërë ndërhyrje në hundë, apo rregullime të tjera të trupit e fytyrës

Shqiptarët nuk kanë hequr dorë nga bukuria plastike që kushton, pavarësisht pandemisë. Përkundrazi, ashtu si në gjithë botën, shumë individë po e shfrytëzojnë të punuarit nga shtëpia apo mbajtjen e maskës për të rimodeluar pamjen e tyre, pasi mund të bëjnë ndërhyrjet dhe të rikuperohen në shtëpi pa u kuptuar.

“Janë të shumtë individët brenda vendit që kanë shfrytëzuar periudhën e pushimeve apo studentët që nuk po ndjekin shkollën e lartë për të kryer operacion plastik në hundë.”, thotë Doktor Kostandin Balloma, drejtues i klinikës “Luis Medical.

Në këtë periudhë, klinikat më të mëdha në vend për ndërhyrje kirurgjikale po vuajnë vetëm mungesën e klientëve të huaj dhe emigrantëve shqiptarë, për shkak të pamundësisë për të lëvizur.
Rreth 90% e operacioneve që po kryejnë e zënë vendasit. Rënia e operacioneve plastike nga mungesa e shtetasve të huaj dhe emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë është 10 deri në 40% më pak në krahasim me 2019.

Ornela Halili, menaxhere e klinikës “Da Vinci”, thotë se pavarësisht se në karantinë nuk është kryer asnjë ndërhyrje kirurgjikale, kërkesa dhe interesimi i njerëzve online ishte tepër i lartë. “Qëndrimi në shtëpi rriti edhe vëmendjen e njerëzve për të parë më me kujdes detaje në trupin e tyre që më parë nuk kishin kohë t’i shikonin. Procedurat, në pamundësi për t’u shërbyer, nuk u kryen dhe ne vetëm këshillonim nëpërmjet telefonit të interesuarit.”

Në periudhën maj-qershor nga qytetarët ka pasur një tendencë në rritje për kryerjen e procedurave, si: botox, fillers dhe trajtime të tjera estetike, ndërsa rritja e kërkesës për ndërhyrjet kirurgjikale u shfaq pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Arsyeja, sipas zonjës Halili, ishte për shkak të pritjes 4-mujore të personave të interesuar për ndërhyrje.

“Pavarësisht kërkesës të lartë, deri më 23 qershor nuk është kryer asnjë ndërhyrje kirurgjikale, pasi edhe mjekët e huaj e kishin të pamundur të vinin. Ndërhyrjet kirurgjikale nisën pas mbarimit të gjendjes të jashtëzakonshme. Në këtë periudhë ka pasur bum kërkesash, si: për mbjellje flokësh, rimodelim të gjoksit, për plastikën e hundës, heqjen e dhjamit. Rritja e kërkesës erdhi pasi shumë individë ishin në pritje për ndërhyrje që nga muaji mars. Shumë prej tyre, për shkak të qëndrimit të gjatë në shtëpi, patën kohë të mendonin disa herë vendimin për ndërhyrje dhe pritën me ankth realizimin.”

Edhe përfaqësuesja e klinikës “Dermolife”, Lida Hoxha, pohon se pandemia nuk ndikoi negativisht te ndërhyrjet e kirurgjisë plastike. “Kirurgjia plastike kryesisht funksionon me sezone. Kulmi i sezonit është në pranverë, vjeshtë dhe dimër dhe në verë ka zbehje. Krahasuar me një vit më parë, nuk ka pasur rënie të operacioneve plastike. Nëse një femër vjen për ndërhyrje në gjoks, mendoj se kjo i ka shërbyer edhe për të mposhtur ‘stresin’ e pandemisë.

Gjithashtu, njerëzit duke u informuar e kapërcyen frikën që kishin për virusin, pasi gjatë karantinës u vu re një stepje nëse donin të kryenin ndërhyrje. Nga muaji maj dhe në vazhdim, përmirësimi është i madh. Ndërhyrjet janë të njëjta në numër, si në periudhë normale, edhe pse puna kryhet duke zbatuar masat mbrojtëse që nga matja e temperaturës deri te kryerja e testit për COVID-19 për personat që do t’i nënshtrohen ndërhyrjes.

Rri që rri në shtëpi!

-Janë të shumtë individët brenda vendit që kanë shfrytëzuar periudhën e pushimeve apo studentët që nuk po ndjekin shkollën e lartë për të kryer operacion plastik në hundë.

-Në periudhën maj-qershor nga qytetarët ka pasur një tendencë në rritje për kryerjen e procedurave, si: botox, fillers dhe trajtime të tjera estetike, ndërsa rritja e kërkesës për ndërhyrjet kirurgjikale u shfaq pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme

Ndërhyrjet më të preferuara për këtë verë

Shqiptarët kanë rritur 15% kërkesën për humbje në peshë nëpërmjet vendosjes së balonit gastrik, krahasuar me 2019. Drejtuesja e klinikës “Dermolife”, Lida Hoxha, jep si arsye të rritjes së kësaj ndërhyrje mbipeshën si një ndër faktorët e cilësuar me rrezik për t’u prekur nga virusi.

“Një nga shërbimet që po përdoret shumë në klinikën tonë dhe u kemi ardhur në ndihmë njerëzve është vendosja e balonit gastrik. Nuk kemi ndier rënie, përkundrazi shifrat janë rritur, pasi të gjithë e dimë që fasha e njerëzve që mund të preken nga COVID-19 janë edhe obezët. Krahasuar me vjet, numri i njerëzve që vendosin balonin është rritur 15%.

Kjo tregon se ata nuk janë të frikësuar nga COVID-19, por përkundrazi janë të mirinformuar dhe iu intereson rënia e peshës. Pra njerëzit mbipeshë po bëhen më të përgjegjshëm për t’u mbrojtur nga COVID-19, ashtu sikurse edhe po shtohet kujdesi në mbajtjen e maskës, higjienës personale dhe ruajtjes së distancës.”

Për këtë verë, heqja e dhjamit të tepërt apo siç njihet në gjuhën mjekësore, liposukscioni, ka qenë mjaft e kërkuar. “Për muajin korrik është barazuar kërkesa mes femrave dhe meshkujve për kryerjen e plastikës të barkut. Në periudhën qershor-korrik të vitit të kaluar, raporti i ndërhyrjeve për barkun ishte 70% nga femrat dhe 30% për meshkujt.

Për këtë vit, raporti ka ndryshuar, 50% për femrat dhe 50% për meshkujt. Shumica e meshkujve që zgjedhin të kryejnë këtë lloj ndërhyrje janë ata që kanë humbur peshë dhe iu është varur lëkura. Ndryshimi i mënyrës të jetesës së burrave në Shqipëri, ndryshe nga femrat që janë tepër të kujdesshme, ka bërë që edhe ata marrin masat për këtë problem në trupin e tyre”, pohon zonja Hoxha.

 

Cilët po kryejnë operacione plastike

Doktor Kostandin Ballomës, drejtues i klinikës “Luis Medical”, thotë se rreth 90% e njerëzve që kryen ndërhyrje në hundë në muajin korrik ishin vendas dhe 10%, emigrantë. “Vitin e kaluar 70% e ndërhyrjeve kryheshin nga vendasit dhe 30% nga emigrantët që jetojnë jashtë. Aktualisht 90% e operacioneve kryhen nga vendasit dhe 10% nga emigrantët.”

Zoti Balloma nënvizon se për shkak të mbylljes së kufijve dhe pamundësisë për të udhëtuar, nga totali i kërkesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kanë ardhur vetëm 20% për të ndërhyrë. “Rreth 80% e kërkesave për ndërhyrje në hundë nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, Zvicër, Anglia dhe Greqia janë anuluar për shkak të pamundësisë për të udhëtuar. Në periudhë normaliteti, numri më i lartë i emigrantëve që kryenin operacion plastik ishin nga Italia, Zvicra dhe një pjesë e vogël, nga Greqia. Por rënia e kërkesës për këtë kategori është kompensuar nga rritja 30% e kërkesës së shqiptarëve”.

Shtimin e operacioneve plastike në hundë për muajin korrik doktor Balloma e lidh me anulimin e ndërhyrjeve të planifikuara për t’u realizuar gjatë karantinës. “Me hapjen e klinikës në muajin maj, të gjithë ata që anuluan operacionet e planifikuara për t’u kryer në muajt mars-prill, erdhën në klinikë në fund të muajit maj dhe qershor. Në korrik, kërkesa u rrit më shumë në krahasim me muajt e mëparshëm.

Për shkak të pandemisë, shumë njerëz po punojnë nga shtëpia dhe këtë periudhë e kanë shfrytëzuar për të kryer ndërhyrje kirurgjikale estetike”. Për shkak të mbylljes së kufijve, ndërhyrjet kirurgjikale ranë 40% në krahasim me një vit më parë edhe për klinikën “Da Vinci”.

“Ndër vite, për muajt korrik – gusht, ne kemi pasur një fluks kërkesash, sidomos nga emigrantët që jetojnë në Londër, Belgjikë, Zvicër, Gjermani, SHBA, të cilët shfrytëzojnë pushimet e verës për ndërhyrjet kirurgjikale, të planifikuara 6 muaj më parë. Ky vit është ndryshe. Pamundësia për të udhëtuar e njerëzve që jetojnë jashtë Shqipërisë, si p.sh. të atyre në Norvegji dhe Suedi, ku kufijtë me vendet e Ballkanit nuk janë hapur asnjëherë, si dhe rregullat e karantinës të vendosura nga Italia kanë ndikuar te rënia e punës. Më shumë po punohet me vendasit”.

Të huajt zëvendësohen nga vendasit

Rreth 80% e kërkesave për ndërhyrje në hundë nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, Zvicër, Anglia dhe Greqia janë anuluar për shkak të pamundësisë për të udhëtuar. Në periudhë normaliteti, numri më i lartë i emigrantëve që kryenin operacion plastik ishin nga Italia, Zvicra dhe një pjesë e vogël, nga Greqia. Por rënia e kërkesës për këtë kategori është kompensuar nga rritja 30% e kërkesës së shqiptarëve

Ulen çmimet e plastikës dhe trajtimeve

Në këtë periudhë pandemie, klinikat më kryesore në vend kanë ulur çmimet për ndërhyrjet kirurgjikale dhe për trajtimet estetike të fytyrës. “Pas rihapjes së ekonomisë, strategjia e ndjekur nga marketingu favorizonte njerëzit, me qëllim që të mos ndiheshin pasojat e COVID-19. Për të gjitha trajtimet estetike të fytyrës ka pasur 50% ulje të çmimeve dhe 10-25% për ndërhyrjet kirurgjikale”, nënvizon menaxherja e klinikës “Da Vinci”. Arsyeja pse çmimet janë ulur është që të mos rëndohen më shumë xhepat e qytetarëve të prekur nga kriza e COVID-19.

“Në krahasim me vjet, kemi aplikuar çmime më të ulëta, pasi në këtë periudhë nuk mund të qëndrojmë të ngurtë, kemi dashur të ndihmojmë njerëzit”, pohon Lida Hoxha nga “Dermolife”. Ndërsa përfaqësuesi i klinikës “Luis” nuk parashikon që të rriten çmimet edhe pas pandemisë. “Çmimet nuk kanë ndryshuar, pavarësisht se shpenzimet janë rritur. Nuk mendoj se çmimet do të rriten më tej për ndërhyrjet kirurgjikale në vend, pasi tregu nuk e favorizon këtë ndryshim.”

Për muajt shtator-tetor, pritshmëritë e drejtuesve të klinikave janë optimiste nëse nuk do të ketë një mbyllje të dytë të ekonomisë. “Për periudhën mars-prill-maj, të ardhurat e munguara ishin 100%, pasi nuk ka pasur asnjë lloj aktiviteti. Në muajin qershor nuk ishim në fazën tonë më të mirë, por nisëm të rikuperonim humbjet e tre muajve karantinë.

Parashikimet për muajin shtator janë pozitive, pasi punojmë me rezervime. Operacionet që kryhen në shtator janë rezervuar që në muajin qershor nga ata që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi. Nëse ekonomia do të mbyllet sërish, atëherë do të ktheheshim mbrapsht”, thotë zonja Halili.

Doktor Balloma thotë se nëse për muajin gusht pritet të ketë rënie të kërkesës, pasi temperaturat e larta nuk janë favorizuese për ndërhyrje, për muajin shtator ecuria e pritshme do të jetë tepër optimiste. “Menjëherë pas rihapjes së klinikës puna u kthye në normalitet dhe nëse edhe në muajt shtator, tetor vijohet me këto ritme, do të mbetem shumë i kënaqur.”

Muajt e fundit, në vende të ndryshme, rastet e të prekurve me COVID-19 janë shtuar, por kjo gjendje nuk ka ndikuar negativisht te ndërhyrjet kirurgjikale. “Me përjashtim të personave që janë të prekur nga virusi, të gjithë të tjerët nëse marrin masat mbrojtëse, asgjë nuk i pengon të kryejnë ndërhyrjet e planifikuara. Mendoj se, edhe në muajt në vazhdim, nuk do të ulet numri i njerëzve që do të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale me përjashtim të muajit gusht, ndërsa shtator-tetori dhe në vazhdim do të ketë të njëjtat ritme të larta. Mbyllja nuk rrezikohet”, pohon zonja Hoxha.

 

Rutina e trajtimeve estetike nuk ndërpritet nga COVID-19

Dermatologia Brunilda Bardhi kryen trajtime estetike dhe procedura invazive, apo siç njihen ndryshe, ndërhyrje nëpërmjet anestezive lokale, siç janë fillers, modelimi, konturimi dhe volumi i buzëve, heqja e rrudhave dhe sipas saj, pandemia nuk i ka shtyrë njerëzit të heqin dorë nga këto trajtime.

“Pas përfundimit të karantinës u shfaq një tendencë rënëse e interesimit të njerëzve, por në vazhdim të pandemisë, individët filluan ta pranonin si fakt virusin, të informoheshin më shumë rreth tij dhe nëse mund të bëheshin trajtime të fytyrës në këtë periudhë. Shumica e njerëzve nuk e kanë ndërprerë rutinën e trajtimit, mbase trajtimin që e bënin një herë në tre muaj mund ta shtyjnë më tepër në kohë, por e kanë vazhduar. Nuk janë si në periudhë normale, por ka interesim për t’i vazhduar, pasi për shumë individë trajtimet e fytyrës, mbushjet, fillersat, botox konsiderohen edhe si veprime për të shkarkuar stresin.

Shtimi i rasteve me COVID-19 dhe temperaturat e lartë janë dy arsyet që dermatologia Bardhi jep për reduktimin e trajtimeve. “Me shtimin e rasteve të të prekurve me COVID-19, vihet re se ka një stepje. Por nga ana jonë, njerëzve u këshillohet që kur janë të shëndetshëm dhe nuk kanë shenja në lëkurë, pas një analize shumë të hollësishme mund të kryejnë trajtimet estetike.

Gjithashtu në punën tonë janë shtuar masat e mbrojtjes të shëndetit, si: dezinfektimi i ambienteve, ajrosja, mbajtja e maskës, si dhe plotësimi i formularit për COVID-19. Gjatë stinës së verës, kemi rënie të trajtimeve të qimeve me lazer, por kjo nuk ndikohet nga COVID-19, pasi është stina e nxehtë që nuk na favorizon aplikimin.”

Rreziku nga informaliteti, si duhet të rregullohet tregu për procedurat e Mjekësisë Estetike

Dermatologia Brunilda Bardhi, në cilësinë e kryetares së Shoqatës të Dermatologjisë, Kozmetikës dhe Estetikës Shqiptare, këshillon që në këtë periudhë pandemie, njerëzit duhet t’u drejtohen mjekëve profesionistë për trajtimet e bukurisë. Znj. Bardhi thotë se në vend janë të shumta materialet e pacertifikuara që përdoren dhe shumë shërbime kryhen në parukeri apo qendra estetike të paautorizuara. Për këtë arsye, sipas saj, tregu ka nevojë të riorganizohet në përputhje me kriteret ndërkombëtare.

“Për të kryer këto procedura duhet të jesh mjeke. Dashur pa dashur, këto njësi me dëshirën për fitime, hyjnë në pozicionin e mjekut dhe u shkaktojnë probleme njerëzve. Shumë njerëz vijnë te ne për trajtim për shkak të problemeve të shkaktuara. Ne kemi bërë edhe një draft me propozime, të cilin ia kemi dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkojmë kontrollin e tregut dhe miratimin e ligjeve që nuk do të lejonin që gjithkush mund t’i aplikojë këto procedura, pasi përbëjnë risk.

Kemi propozuar edhe ndryshimet e kushteve për akreditim e mjekëve që kryejnë këto procedura, licencimin e tyre, si dhe kriteret se kush duhet të aplikojë për hapjen e qendrës estetike. Ne kërkojmë që kriteret dhe kategorizimet të kryhen sipas standardeve ndërkombëtare”.

“Mund të shërohem në shtëpi”, kirurgët kozmetikë shohin rritje të pacientëve në mes të pandemisë

Një numër i klinikave të kirurgjisë kozmetike në të gjithë botën po raportojnë për një rritje të njerëzve, që marrin trajtim gjatë shpërthimit të koronavirusit, pasi mund të fshehin trajtimin e tyre pas një maskë ose punë nga shtëpia, shkruan BBC. Klinikat në SH.B.A., Japoni, Korene e Jugut dhe Australi kanë parë të gjithë një rritje të pacientëve që vijnë për trajtim, përfshirë mbushësin e buzëve, botoksin, ngritjen e fytyrës dhe rregullimin e hundës.

“Vendosa të bëj procedurat gjatë karantinës, sepse më lejon të shërohem me ritmin tim,” i tha BBC Aaron Hernandez, i cili mbushi buzët dhe hoqi dhjamin e faqeve në Los Angeles. “Mbushja e buzëve nuk është diçka që të gjithë meshkujt kanë tendencë të bëjnë, kështu që disa njerëz mund ta shohin ndryshe. Prandaj unë preferova të qëndroja në shtëpi dhe të shërohem plotësisht dhe njerëzit nuk do e dinin se çfarë kisha bërë pasi të dilja jashtë.”

Dr Rod J Rohrich, një kirurg kozmetik me qendër në Teksas, tha që po shihte shumë më tepër pacientë. “Edhe më shumë nga sa do të thoja është normale. Ne mund të operonim gjashtë ditë në javë nëse do të donim. Ishte shumë e mahnitshme”, tha ai për BBC.

Ai tha se zakonisht njerëzit do të duhet të shqyrtonin të qëndruarit në shtëpi kur merrnin në konsideratë operacionin, por tani që shumë njerëz po punojnë nga shtëpia, kjo është e zgjidhur.
“Njerëzit tani mund të rikuperohen në shtëpi dhe gjithashtu mund të mbajnë pa problem maskën kur dalin jashtë jashtë pas një rinoplastike ose fytyre. Njerëzit duan të rifillojnë jetën e tyre normale dhe një pjesë e kësaj është të\ duken aq mirë sa ndihen.

“Nuk janë vetëm SHBA që po shohin një rritje të pacientëve gjatë pandemisë. Koreja e Jugut, e njohur për operacionet e saj kozmetike, ishte një nga vendet e para që pa raste të virusit. Në vend që të zbatonte një bllokim mbarëkombëtar, vendi kishte një plan distancimi shoqëror, duke inkurajuar njerëzit të punonin nga shtëpia.

Klinikat kozmetike kanë parë një rënie të vizitorëve të huaj megjithatë vendasit i kanë zëvendësuar atë. Një numër klinikash zgjodhën të ofrojnë një zbritje për vendasit. Një mësues 54-vjeçar i shkollës së mesme që kishte bërë operacion në qepallë në shkurt, i tha Joongang Daily se “çdo klinikë e kirurgjisë plastike që vizitova ishte e mbushur”. Spitali BK në Seul i tha BBC-së se në fillim të pandemisë, njerëzit ishin nervozë, por me pas gjithnjë më shumë vendas kishin filluar të vinin në klinikë.

“Pacientët filluan të ndjehen të sigurt dhe komodë për të bërë operacion, pavarësisht Covid-19. Numri i pacientëve po rritet vazhdimisht,” tha zëdhënësi. “Pavarësisht koronavirusit, numri vlerësohet të rritet ndjeshëm në krahasim me të njëjtën sezon të vitit të kaluar”.

Japonia nuk ka pasur një bllokim zyrtar, megjithatë kryeministri Shinzo Abe shpalli një gjendje të jashtëzakonshme e cila zgjati deri në fund të majit. Njerëzve iu kërkuar që të qëndronin në shtëpi.
Përkundër kësaj, klinikat gjithashtu panë një rritje të pacientëve që dëshironin të merrnin trajtim. Rritja bëri që Shoqata Japoneze e Mjekësisë Estetike të paralajmërojë se trajtimet kozmetike nuk ishin “thelbësore për shumë njerëz”. Ajo u kërkoi njerëzve të qëndrojnë larg operacioneve për të “parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit”.

“Si një klinikë e kirurgjisë plastike ambulatore e pajisur për të siguruar procedura që zgjasin disa ditë, ne kemi parë patjetër një fluks të pacientëve që dëshirojnë të bëjnë trajtime gjatë kësaj periudhe”, tha Michelle Tajiri, koordinatore e klinikës në Klinikën Bliss në Fukuoka.

“Arsyeja kryesore është se ata nuk shkojnë fizikisht në punë dhe mungesa nuk është problem, si dhe fakti që të gjithë kanë maska dhe kështu çdo procedurë e fytyrës mund të maskohet lehtësisht.” Për Z. Hernandez, të bënte operacionin gjatë pandemisë ishte koha perfekte. “Patjetër që më lejoi më shumë kohë për t’u shëruar. Mund të merrja ilaçe, që nuk do të mund ta bëja nëse do të ngisja makinën, si dhe kisha më shumë kohë që të bëja me akull buzët dhe pjesët e fytyrës.”

/ Monitor.al