LSDM-ja ka demantuar lajmin e publikuar në media se tre vjet do të jetë Zoran Zaev kryeministër dhe një vjet Naser Ziberi nga BDI-ja, transmeton Portalb.mk.
“LSDM-ja plotësisht e demanton lajmin e rrejshëm të publikuar nga ana e televizionit Kanal 5 me titull: U dakordua kryeministri sipas principit, tre vjet Zaev, një vjet Ziberi- BDI do të udhëheqë me DAP dhe MPB”, deklarojnë nga LSDM-ja.
LSDM-ja sqaroi se në bisedat ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së nuk është arritur marrëveshje sipas principit që është publikuar, sikurse nuk është vendosur ndarja e resoreve.
“LSDM-ja në kohë do t’I informon qytetarët dhe kur të ketë marrëveshje do të publikohet”, premtojnë nga LSDM-ja.
Në takimin e fundit ndërmjet Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit u vendos që negociatat ndërmjet dy partive të zhvillohen në nivel të sekretarëve. Sekretari i LSDM-së, Ljupço NIkollovski e ka demantuar këtë informatë.
Ndryshe, Zaev më 13 gusht e mori mandatin nga presidenti dhe ka afat prej 20 ditëve që ta formojë qeverinë, ndërsa ambasadorja amerikane, Kejt Meri Bërns, ia uroi Zaevit marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë.
Po atë ditë, Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së, pasi nuk arriti të zhvilloj takim me liderët shqiptarë që i kishte ftuar në Tryezën e Partive Parlamentare Shqiptare, ai në orët e pasdites ka zhvilluar takim me Zoran Zaevin, mandatarin për formimin e qeverisë.
Ndërkohë, Hristijan Mickoski, kryetari dhe kandidati për kryeministër nga VMRO-DPMNE-ja ka pasur një takim po atë ditë me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Mickoski në takim ishte i shoqëruar me deputeten dhe ish-kandidaten për presidente, Gordana Siljanovska-Davkova, për të reaguar në lidhje me marrjen e mandatit nga Zoran Zaev pa e dëshmuar se e ka formuar shumicën.