Sevilla është finalistja e parë e Europa Leagues, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 2-1 ndaj Manchester United në sfidën gjysmëfinale të zhvilluar mbrëmjen e sotme në “RheinEnergieStadion” të qytetin të Kolnit.
“Djajtë e kuq” ishin favoritë në këtë sfidë dhe shënuan golin e avantazhit që në minutën e 9’, kur fantazisti portugez Bruno Fernandes ekzekutoi saktë një 11-metërsh, ndërsa më pas shpërdoruan edhe mundësi të mira për të dyfishuar shifrat.
Andaluzianët e drejtuar nga Julen Lopetegui rikthyen baraspeshën në minutën e 26’, me golin e shënuar nga sulmuesi i afruar nw muajin janar nga Milani, Suso, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 1-1.
“në 45-minutëshin e dytë Manchester United kontrolloi lojën dhe u shfaq më kërkues, por pa arritur të dërgojë sferën në rrjetë, ndërsa Sevilla gjeti golin me vlerën e kalimit në finale, në minutën e 78’ me anë të sulmuesit holandez De Jong.
Shumë i vakët reagimi i “djajve të kuq”, duke nisur me trajnerin Solskjaer, që zëvendësimin e parë e bëri vetëm në minutën e 87’, ndërsa Sevilla ia doli të mbrojë me fanatizëm avantazhin deri në vërshëllimën finale.
Andaluzianët bëhen kështu skuadra e parë finalist e Europa Leagues dhe do të presin mbrëmjen e nesërme për të mësuar kundërshtarin, që do të dalë nga përballja mes Interit dhe Shakhtar Donetskut.
Kujtojmë që Sevilla është skuadra që e ka fituar më së shumti Europa Leaguen, plot 5 herë, në vitet 2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016, ndërsa këtë vit do të synojë suksesin për herë të 6 në histori.